Sentencat dhe përsiatjet e shkurtra filozofike janë një pjesë e vyer e krijimtarisë së Mid’hat Frashërit, i cili përgjatë gjithë jetës së tij krijuese, i ka hedhur në blloqet e tij apo copëza letrash të rastësishme.
Në Arkivin e Shtetit, mes 8871 fletëve që ruhen në fondin me numrin 35 që mban emrin e tij, gjendet edhe një letër e zverdhur, në dukje të parë jo fort e rëndësishme.
E shkruar me makinë shkrimi, ajo është përfshirë në një prej dosjeve, ku ruhen shumë dorëshkrime të intelektualit erudit dhe bën pjesë në klasifikimin “veprimtari krijuese”.
Kjo letër përmbledh 10 këshilla mbi ndërtimin e një morali të pastër. Mid’hat Frashëri e quan ndryshe këtë listë me 10 porosi të mençura edhe si “dekallogu moral”.
Si shumë mendime të tjera të Mit’hat Frashërit, që ishin dhe mbeten aktuale e goditëse deri në ditët e sotme, edhe ky dokument që paraqet krijimin me titull “Këshillat e plakut”, është një shënim goditës, që mbart veç vlerave letrare dhe forcën e mendimit të tij.
Këshillat e plakut – Dekallogu moral
– Ki besim në shokun, dhe shiko çdo njeri si të mirë dhe të ndershëm. Është një stërvitje morale fort e dobishme dhe më teprë për ty vetë.
– Më mirë të kesh dhjetë herë besim në një që se meriton se sa të kesh një herë çbesim në një që meriton besim.
– Kur të propozohet një send që e mejton dhe ti të mirë dhe e gjykon të dobishme, bindu. Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes.
– Kur nisë një send me shok dhe me shoqëri ki disiplinë dhe durim. Shqiptarin mos e harro, e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit. Epe ti vetë shembullin e disiplinës pa shikuar ç’bën tjatri.
– Për interes të shokut dhe akoma më tepër për interes të kombit shkele me këmbë sedrën dhe madhërinë. Ki në mendje kurdoherë se prindërit tanë i ka prishur amoure-propre i sëmurëshme.
– Hiqe veten tënde si pakë të mënçëm dhe pak të diturë. Mëndja e tepërë na ka çmendurë gjer më sot.
– Mos u hidhëro pse të shkoj tjatri përpara. Mos u mërzit pse nuk ndenje dot në krye. Mos u pikëllo pse shoku s’tu ngrit më këmbë: kotësia na ka lënë të panderuar.
– Ki ambicion të vërtetë mos mejto orën e sotme dhe minutën në të cilën rron. Kujto pak pritmnin, eternitetin.
– Në punë kije për lavdi të jesh shërbëtor. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm pa le të mos ta dijë bota.
– Ndje gëzim dhe lumtëri në sakrificë dhe shiko shogrimin si më të madhin virtyt: shogro amour-propre-in tënd, shogro kotësinë tënde, shogro kohën dhe frymën tënde. /sarandacity.al/