Është e gjithëpranuar tashmë se roli më i madh i Hajrie Rondos është në “Përallë nga e kaluara”.
Në një shkrim të fundit në faqen “Aktorët”, ofrohet një rrëfim i Elvira Diamantit, Marigosë së famshme mbi vjehrrën e saj të urryer, Tanën, pra Hajrie Rondon.
“Me Hajrie Rondon u takuam për herë të parë në hollin e hotelit më të madh të Gjirokastrës, disa ditë përpara se të fillonim xhirimet ne rrethinat e saj. Ishte një kontakt i parë, por menjëherë, pa kaluar ende ora e parë, më dukej se e njihja prej kohësh.
Hajria kishte një karakter të përmbajtur, por të hapur e dashamirës ndaj të gjithëve. Qëlloi që unë sapo isha fejuar dhe rrija në shtëpinë e prindërve të Drinit, duke u njohur më nga afër për herë të parë me vjehrrën time reale. Ndërsa në sheshxhirim rrija më shumë nga të gjithë me Hajrien. Kështu, papritur, u bëra me dy vjehrra njëkohësisht. Shpesh, shumë shpesh, qeshnim edhe me këtë fakt. Duke qenë një aktore e talentuar dhe me origjine nga Jugu, roli i Tanës dukej i shkruar për të.
Në një nga shtëpitë e Gjirokastrës, e cila është në film shtëpia e Gjinos, po xhirohej skena ku Tana (Hajria pra) bëhet xheloze për një marrëdhënie të supozuar të Marigosë me vjehrrin e saj. Po xhirohej Hajria në plan bust, duke thënë: ‘Laji mirë! Që kur ke ardhur ti, na mbyti pisllëku’.
Unë isha paralel me kamerën, sepse sytë e Hajries duhej të më shihnin mua. Ishte perfekte, që në dublën e parë, dhe unë shpërtheva në të qeshura, sapo u dëgjua fjala ‘Stop’, që nënkuptonte fundin e dublës.
Për kënaqësinë time, por edhe të grupit, Anagnosti xhiroi disa dubla, të cilat ishin gjithmonë e më të mira, derisa në dublin e fundit, sikur ta kishim bërë me fjalë të gjithë, shpërthyem në të qeshura e duartrokitje. Kështu e mbaj mend Hajrien, Tanë e vërtetë në xhirim dhe një grua të dashur dhe shoqe e mirë jashtë kamerës. Mund të them që gjatë gjithë xhirimeve, në skenat e saj me Robert Ndrenikën, kishte gjithmonë gaz, e megjithatë ajo pyeste gjithmonë: Isha mirë? Vërtet? Mos të bëj dubël tjetër? Një artiste e vërtetë! Një grua e papërtuar edhe për të të ndihmuar.
E kam të vështirë të flas për të, duke ditur që ajo nuk është më. Kam edhe një ndjenjë faji që nuk më lë të qetë prej ditësh. Çfarë po ndodh me jetët tona kur nuk arrijmë të gjejmë kurrë kohë për t’iu kushtuar miqve, kolegëve, problemeve të njerëzve që dikur kemi ndarë një pjesë të jetës, qoftë edhe për disa muaj? Unë sot nuk mund të ndreq asgjë, të paktën lidhur me ty Hajrie, por të kërkoj falje!”, përfundon rrëfimi i aktores Elvira Diamanti.
Kujtojmë se javë më parë, në Delvinë u vendos një bust i Hajre Rondos, si nderim për këtë ish-qytetare delvinjote që bëri histori në teatrin dhe kinemanë shqiptare. /sarandacity.al/