Bashkia e Finiqit jep lajmin për rikthimin në projektin e zgjerimit të rrugës nga Ura e Gajdarit e deri në Krane, nisur që në kohën e Berishës me një zgjerim anash, por braktisur më pas si front infrastukturor.
Pos kësaj, do i jepet fund dhe disa aspekteve ende të papërfunduara të aksit Krane – Qafë Botë (edhe ky zgjeruar e shtruar në kohën e Berishës), si dhe më kryesoja gjithashtu, do ndërhyhet në aksin Gajdar – Shijan, i cili përbën zgjatimin e aksit të pritshëm Kardhiq – Delvinë.
“‘Drita jeshile’ është dhënë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për përfundimin e punimeve në seksionet rrugore në aksin Qafë Botë-Ura e Kranesë, Ura e Kranesë –Ura e Gajdarit dhe përmirësimin e rrugës Ura e Gajdarit – Shijan. Vlera e parashikuar e kontratës është 1.416.561.808,68 lekë pa TVSH (11 650 315,06 € pa TVSH) dhe realizimi është dy vjet nga nënshkrimi i kontratës.
Bashkia e Finiqit mirëpret shpalljen e prokurimit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe shpreson të realizohet së shpejti fillimi i zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm. Përfundimi i këtij aksi rrugor konsiderohet i domosdoshëm, pasi do të ndikojë në zhvillimin turistik të zonës dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve….”, shkruan Bashkia Finiq, duke cituar fjalët e kryebashkiakut Kristaq Kiço. /sarandacity.al/