Këtë fundjavë isha në Gjirokastër. Përsëri.
Këtë herë “sebep” u bë inaugurimi i një muzeu të vogël ne fshatin Luzat, në të dalë të Tepelenës, vetem disa kilometra larg Gjirokatrës. Ngritjes së këtij muzeu, i quajtur “Vatra e Luzatit”, i ndihmoi miku im Përparim Kalo, juristi i njohur nga Kalot e Luzatit, një familje e shquar dhe e nderuar nga çdo banor i këtij fshati. Ishte më shumë se një festë e bukur. Ishte një manifestim kulturor, me rëndësi shoqërore.
Luzati, siç vura në dukje në krye, ishte këtë herë sebepi i vizitës sime të radhës në jug. Destinacioni ishte Gjirokastra, qyteti nga e ka prejardhjen familja ime.
Ky qytet mahnitës, ndër më të bukurit në botë, ka një fuqi magjike tek unë. Sa herë jam në Gjirokastër, unë njëjësohem me të, humbas në atë qytet dhe vetë qyteti, me njerëzit e tij, me ndërtesat, rrugët dhe sokaqet e tij, me pamjen gati surreale të kalasë, me Qafën e Pazarit, me pejzazhin e thyer të lagjeve te qytetit dhe atë që shpaloset në të dy anët e luginës së Drinos, bëhen jo thjesht një përvojë shqisore e këndshme, por edhe pjesë e staminës sime emocionale e mendore.
Vitet e fundit e kam parë Gjirokastrën të mbushur me vizitorë të huaj, të ardhur nga çdo skaj i globit. Të njëjtën gjë vura re edhe këtë fundjavë, kur pranvera është në ditët e para të saj.
Kafenë e mëngjesit e piva te “Komiteti”, ne “Rrugën e zejtarëve”, vetēm pak metra larg Qafës së Pazarit. Në atë orë të mëngjesit në bar ishim vetëm unë dhe dy të huaj. I dëgjova të flisnin anglisht dhe i pyeta nga ishin.
– Nga Feniks, Arizona – më tha burri.
Duket se ai e vuri re habinë në shprehjen e fytyrës sime, ndaj edhe më pyeti:
– E dini ku është?
– Sigurisht – i thashë – kam qenë në Feniks, madje kam edhe miq e kolegë në Arizona State University (ASU).
Ky prezantim vijoi me një bisedë të shkurtër. I thashë vizitorit nga Arizona se kam jetuar për shunë vite me radhë në Amerikë dhe tashmë banoj në Tiranë, por me origjinë jam nga Gjirokastra. Pastaj e pyeta se çfarë i kishte shtyrë atë dhe vajzën e tij të vizitonin këtë qytet. Udhetimi në Shqipëri dhe vizita në Gjirokastër, më tha ai, ishin dhurata që ai i kishte premtuar vajzës së tij me rastin e diplomimit të saj nga ASU. Shqipërinë dhe Gjirokastrën i kishte zbuluar dhe zgjedhur si destinacion kur kishte parë të flitej për to në një prej kanaleve kabllorë televizivë amerikanë.
Më vonë atë paradite, një grup të rinjsh italianë bisedonin me zë të lartë dhe fotografonin në të pesë anët (rrugët) e Qafës së Pazarit, që nyjëzohen në këtë qendër metafizike të qytetit.
Rreth orës 11, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, miku im Flamur Golemi, më ftoi për një kafe. Ai më njoftoi se një ditë më parë kishte pritur zëvendësrektoren e Universidad Nacional de Educación a Distancia (UNED), një universitet spanjoll që ka rënë dakord të çelë një qendër rajonale të tij pikërisht në Gjirokastër.
Pasdite, pas kthimit në Gjirokastër nga Luzati, të parët njerëz me të cilët u ndesha në hyrje të hotelit “Kodra” ishin një çift austriak. Në mbrëmje, ndërsa isha ulur për darkë te “Babameto 2”, po në “Rrugën e zejtarëve”, pas meje dëgjoja të flisnin me zë të lartë pesë a gjashtë grekë, ndërsa përballë meje u ul një çift hollandez. Kur do të paguaja, një çift kinez me dy fëmijë prisnin të uleshin në vendin që bëhesha gati të liroja unë.
Prania dje në Gjirokastër e një numri kaq të madh vizitorësh të huaj, vetëm në një rrugë jo më shumë se 100 metra të gjatë (dhe jam i sigurt i një numri shumë më të madh vizitorësh të huaj në rrugë dhe në lagje të tjera të qytetit) më la një ndjesi pozitive e të gëzueshme.
Katërmbëdhjetë vite më parë, kur sapo isha kthyer nga Shtetet e Bashkuara dhe vizitova qytetin e prindërve të mi pas afro dy dekadash që isha larguar, Gjirokastra m’u duk një qytet fantazmë. I pandriçuar. I braktisur. I varfëruar. I heshtur. I plakur. Pa rini dhe pa jetë. Gati-gati në prag të rrënimit të plotë e të harresës njerëzore. Pak jetë gjallonte vetëm në dy a tri bare në lagjen e poshtme të qytetit “18 shtatori”, pranë stadiumit të futbollit, falë studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej”, por pjesa tjetër e Gjirokastrës, lagjet në faqen e Malit të Gjerë, lagjet që varen nga të gjitha anët e kalasë dhe vetë Qafa e Pazarit ishin thuajse krejt pa jetë. Në gjashtë të mbremjes kushdo mbyllej brenda; askush dhe asgjë s’pipëtinte jashtë.
Sot, gjithçka është ndryshe. Hotel “Kodra” s’kishte dhoma të lira natën e dytë, ndaj atë natë qëndrova në hotelin “Fantasia”, një ndër hotelet më të mirë në Gjirokastër, po në “Rrugën e zejtarëve”. Këtu u takova me një grup mjekësh të njohur gjirokastritë, miq të vjetër, që jetojnë e punojnë në Tiranë. Kishin ardhur edhe ata të kalonim fundjavën në qytetin e tyre të lindjes.
Në barin e hotelit të vetmit njerëz që gjeta kur u ula të pi një çaj ishin dy japonezë. Sot, kur zbrita për të ngrënë mëngjesin, restoranti i hotelit ishte okupuar i tëri nga një duzinë turistësh anglezë.
Nuk e di pse, në mënyrë te pavetdijshme, në mendje më erdhi fjala “metropol”.
Me gjithçka që ka dhe është, me atë çka përfaqëson dhe kështu siç po bëhet e zhvillohet nga dita në ditë, Gjirokastra ështe sot një qytet metropol i Shqipërisë së jugut.
Ky qytet ka çdo gjë, gjithçka që i nevojitet–histori, arkitekturë e arkeologji, kulinari, polifoni, tradita të çdo lloji dhe, mbi te gjitha, një rini të arsimuar, një universitet, njerëz punëtorë e një kulturë qytetare që mund të shërbejnë më mirë se deri më sot si një gjenerator i fuqishem për zhvillim të qëndrueshëm dhe si një atraksion i jashtezakonshem turistik për njerëz nga e gjithë bota.
Gjirokastra, e tëra, me çdo gjë të sajën, është një pasuri kolosale për Shqipërinë. Një thesar që e kemi trashëguar ndër shekuj e që brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë duhet me çdo kusht ta mbrojnë. Në përjetësi. /Gazeta Dita/
A este respecto, el informe Invertir en Salud, elaborado en la dГ©cada de 1990 por el Banco Mundial, tuvo gran efecto en la atenciГіn prestada a la salud, en particular la labor de las ONG buy priligy tablets
[url=https://fastpriligy.top/]buy priligy on the internet without a prescription[/url] Bibikova M, Laurent LC, Ren B, Loring JF, Fan JB