Nisma e Luleve, aktive vitet e fundit me mision kurimin e imazhit të Sarandës, potencoi një ditë më parë me anë të një statusi një prej produkteve të saj, pemë të mbjella në një prej minihapësirave të gjelbërta të qytetit, të cilat tashmë kanë hedhur shtat.
Ka aty një frazë të diskutueshme: “Kur e nisëm, më shumë na paragjykuan se sa na kuptuan”.
Në fakt nuk ka vend për paragjykim, as për moskuptim. Thjesht, te ne si shoqëri dominon sehiri, ose përtacia për punë komunitare.
Por tej kësaj, problemi i Shqipërisë, qoftë dhe i Sarandës në një kuptim lokal, nuk është mungesa e gjelbërimit. Është një punë e mirë të mbjellësh pemë e lule, padyshim, tejet duartrokitëse, por mu këtu nis paradoksi, nis dëshpëruesja madje. Shqipëria sot nuk ka qenë kurrë më estetike në imazhin e përgjithshëm, por nga ana tjetër nuk ka qenë kurrë më në krizë vlerash. Amoraliteti shoqëror që ka ngërthyer çdo qelizë, çdo marrëdhënie, çdo punëbërje, aty ku flitet me gjuhën e parasë, si dhe padrejtësia shumëplanëshe, si ajo që buron nga pushteti e si ajo mes vetë njerëzve, e ka bërë edhe më të shëmtuar jetën e përditshme, sado mes lulesh apo pemësh, sado mes cilësisë së përmirësuar të rrugëve apo fasadave.
Shqipëria sot është më e bukur në fasadë, por më e shëmtuar se kurrë në thelb!
Nëse është për lule, pemë, gjelbërim, përgjithësisht estetikë, qeverisja që pritet të hyjë në të 9-in vit është e prakrahasueshme me asnjë tjetër para saj. Ja kalon madje dhe asaj të 50 viteve në monizëm me sqimë e inisiativa estetike të papara. Por e gjitha kjo, si në ato 50 vite, ngjan si një truk në raport me thelbin e shëmtuar të gjërave.
Para se të mbjellësh, këtu duhet të shkulësh; të shkulësh padrejtësinë, amoralitetin, mbrapshtitë e llojllojshme mes pushtetit e njeriut, mes vetë njerëzve…/sarandacity.al/