Një moment tensioni ka çuar policinë te filiali i BKT-së në Sarandë, e cila u ballafaqua me një “humbje durimi” nga disa klientë, ndikuar dhe nga moti i nxehtë, aspak i favorshëm për radha, qoftë dhe të shkurtëra.
E gjitha ka ndodhur për shkak të një kolapsimi të sistemit dixhital të shërbimeve, një gjë e pazakontë.
“Problemi hardware që shkaktoi një ndërprerje afatshkurtër në sistemin tonë bankar është zgjidhur.
ATM -të dhe POS-et tona kanë filluar të shërbejnë, kanalet tona digjitale dhe transaksionet e degëve do të vihen gradualisht në shërbim sot rreth orës 11 të mëngjesit pas kontrolleve përfundimtare që do të kryhen.
I gjithë ekipi ynë po punon me përkushtimin e zakonshëm për t’ju shërbyer sa më mirë”, deklaroi me herët BKT.
Por kjo padyshim që ka cenuar normalitetin e punës, gjë që në Sarandë ka rezultuar dhe me reagime nervoze, për të cilat është dashur dhe ndërhyrja e policisë.
Kjo e fundit ka marrë për këshillim disa nga durimhumburit, duke bërë që situata të qetësohet dhe mos ketë pasoja të mëtejshme. /sarandacity.al/