Është rikthyer sërish çështja e Kakomesë, e cila deri para 10 vitesh shndërrohej në lajm dite herë pas here, edhe prej incidenteve të shumta.
Siç dihet, për Kakomenë ka patur pretendime pronësie nga banorë të Nivicës, ndërkohë që kompani nisi aty ndërtimin e një resorti turistik, gjë që nuk u bë e mundur.
Por ç’ndodh tani aty në kuptim të pronësisë mbi atë gji tërheqës?
Shqiptarja.com sjell një shkrim mbi atë se kush e ka në pronësi atë hapësirë dhe ku ka ngecur çështja.
Shkrimi:
Përpjekjet e banorëve të Nivicës (ish Komuna Lukovë) të Himarës, për të çliruar pronat që pretendojnë se i kanë i trashëguar brez pas brezi, nga rrethimi i biznesmenit Luan Leka, janë rikthyer edhe një herë në pikën fillestare. Pesë ditë nga kallëzimi i radhës, këtë herë në SPAK, dosja ka shkuar për kompetencë në Prokurorinë e Vlorës, për të verifikuar nëse Luan Leka, Shaban Memia dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë konsumuar apo jo veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
Po cila është historia e aferës me Gjirin e Kakomesë, simbol i ‘çorbës’ së qeverisë së Sali Berishës me pronat në bregdet?
Rreth 1 mijë banorë të Lukovës pretendojnë se kanë trashëguar brez pas brezi 464 ha tokë bujqësore. Si në të gjithë Shqipërinë, prona u shtetëzua nga regjimi komunist. Por, toka u rikthye 30 vite më parë dhe është ndarë sipas ligjit 7501. Çuditërish, banorët u pajisën me aktin e marrjes së tokës në pronësi për sipërfaqen e ndarës sipas ligjit 7501, por nuk u pajisën për 30 hektarë tokë që ndodhet në Gjirin e Kakomesë, një nga atraksionet turitke më magjepse në Shqipëri. Këtu nisën dyshimet e para për një ‘dorë’ të fshehtë, të lidhur me qarqet e pushtetit të Tiranës, të cilët i kishin ‘vënë syrin’ Gjirit të Kakomesë.
Banorët iu drejtuan gjykatës. Në vendin 2008, Gjykata e Sarandës, urdhëroi organet e atëhershme për çështjen e pronave që të pajisnin familjet përkatëse të Nivicës me aktin e marrjes në pronësi në tokës në Gjirin e Kakomesë. Gjykata pranoi padinë e paditësve: Spiro Vjeri, Stillo Cici, Nikolla Mekshi, Sokol Pali, Stefan Llambri, Dhimo Vjeri, Leonrd Llambri dhe Nivicë Nako. Dy muaj më pas, Gjykata e Apelit në Gjirokastër vendosi prishjen e vendimit të Gjykatës së Sarandës dhe pushimin e çështje. Në maj të vitit 2013, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës dhe gjykimin nga një tjetër trup gjykuese.
Në nëntor të vitit 2013, Gjykata e Apelit të Gjirokastrës, tashmë me një trup tjetër gjykues, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Sarandës, vendim i cili urdhëronte pajisjen e pronarëve me aktin e marrjes në dorëzim të pronës. Ky vendim ka marrë formë të prerë, por kurrë nuk është zbatuar plotësisht nga organet publike për çështjen e pronave.
Banorët nuk marrin në dorëzim tokën, pasi ata pretendojnë se prona e tyre është rrethuar nga biznesmeni Luan Leka. Ky i fundit pretendon se banorët e Nivicës jetojnë në një zonë malore dhe nuk kanë asnjë lidhje me Gjirin e Kakomesë. Sipas tij, fshati i tyre është 7 km larg Gjirit të Kakomesë. Ai pretendon gjithashtu se shteti ka fituar të gjitha betejat gjyqësore me banorët në lidhje me pronën. Pasi shteti ka marrë pronën, sipas tij, tokën ia ka dhënë atij për ndërtimin e fshatit turistik.
Në 20 dhjetor të vitit 2004, Ministria e Turizmit i ka kaluar me marrëveshjes Gjirin e Kakomesë shoqërisë ‘Riviera Kakome’ të Luan Lekës, për ndërtimin e një fshati turistik. Banorët pretendojnë se brenda sipërfaqes së madhe të pronës së kaluar në duart e kompanisë së Luan Lekës, ndodhen edhe 30 hektarë tokë e tyre e fituar me proces gjyqësor. Megjithatë, marrëveshja për fshatin turistik mbeti vetëm në letër, pasi nuk u zbatua asnjëherë.
Në kallëzimin e fundit në SPAK, i kthyer në Vlorë, thuhet se ‘Riviera Kakome’ nuk ekzistonte si shoqëri kur ka lidhur marrëveshjen me Ministrinë e Turizmit. Sipas tyre, ‘Riviera Kakome’ është thelëmuar në vitin 2009, ndërsa marrëveshja është lidhur në fund të vitit 2004. Dhe në fakt, nga një verifikim i thjeshtë në QKR, ashtu rezulton; ‘Riviera Kakome’ është themeluar në 22 shtator 2009.
Në mars të vitit 2012, në skenë del drejtori i ‘famshëm’ i Sali Berishës në krye të ALUIZNI-t, Shaban Memia. Emri i tij është lakuar aq shumë si simbol i lëmshit të pronave në Shqipëri. Në 23 mars 2012, Shaban Memia, në emër të shtetit, i shet kompanisë së Luan Lekës, 29 hektarë tokë në Gjirin e Kakomesë, për ndërtimin e fshatit turistik. Pas kësaj kontrate, prona u regjistrua në datë 16 prill 2012 në ZRPP Sarandë në emër të shoqërisë së Luan Lekës. Me këto dy lëvizje, në bashkëpunim me Shaban Meminë, Luan Leka mori në dorë Gjirin e Kakomesë. Megjithatë, sot në Gjirin e Kakomesë nuk ka fshat turistik, por vetëm një rrethim.
Në kallëzimin e fundit, banorët pretendojnë se të gjitha aktet e kalimit të Gjirit të Kakomesë në duart e Luan Lekës janë false dhe se kemi të bëjmë me përvetësim të pronës private, pasi prona është e tyre, tashmë me vendim gjykate. Sipas, kallëzuesve, kompania e Luan Lekës, edhe në vitin 2010, ka kërkuar legalizimin e 6 objekteve që nuk eksitonin në Gjirin e Kakomesë, duke paraqitu letra false dhe kërkuar kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin.
I këtij mendimi duket se është edhe kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili në vendimin për të dërguar dosjen për kompetencë në Vlorë, thotë se mund të kemi të bëjmë me veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës nga Shaban Memia.
Ndërkaq, në 26 maj 2017, Këshillit Bashkiak Himarë, në bazë të vendimit të formës së prerë të gjykatës të vitit 2017, u dha 8 familjeve të Nivicës aktet e pronësisë për rreth 8 hektarë tokë në Gjirin e Kakomesë. 8 hektarët ndodheshin brenda 29 hektarëve që Shaban Memia i kishte shitur kompanisë së Luan Lekës. Të dy palët hodhën akuza mbi Këshillin Bashkiak Himarë. Banorët kërkuan që të pajiseshin të gjithë, pra jo për 8 hektarë, por për 30 hektarë. Nga ana tjetër, ‘Riviera Kakome’ kallëzoi Këshillin se u kishte dhënë 8 familjeve pronën e saj.
Në lëvizje janë vënë sërish gjykatat. Në gusht të vitit 2020, kompania e Luan Lekës, ka arritur të marrë një vendim sigurim padie, duke ruajtur pronësinë mbi Gjirin e Kakomesë, të cilin ia shiti Shaban Memia. Ditët e fundit, drejtori i Kadastrës në Sarandë, Andri Dhima, ka informuar familjet e Nivicës se prona që ata pretendojnë është regjistruar në emër të Luan Lekës në 3 qershor 2021. /sarandacity.al/