Ministret Kushi dhe Denaj firmosën “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”, që sipas së parës, ky udhëzim orienton dhe ndihmon institucionet arsimore në zbatimin sa më efikas të politikave arsimore dhe krijimin e një mjedisi sa më miqësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.
Ndër të tjera aty veçohet futja për herë të parë e anglishtes që në klasën e parë.
“Ky dokument prej 18 faqesh vë theksin tek nevoja e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimin me përpikmëri të planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimin e politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.
Gjithashtu, në këtë udhëzim është përfshirë edhe futja për herë të parë e gjuhës angleze në klasat e para dhe trajnimin e mësuesve përkatës, regjistrimi me përparësi i fëmijëve me nevoja të veçanta, konsolidimi i shkollave si qendra komunitare, reduktimi i braktisjes shkollore, zbatimi i planeve për parandalimin e bulizmit dhe ekstremizmit, si dhe zbatimin e programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Dokumenti është bashkëfirmosur edhe nga ministrja Anila Denaj sepse përmban edhe udhëzime të posaçme për institucionet e arsimit professional”, shkruan znj. Kushi. /sarandacity.al/