Festa e Senicës nuk u bë e mundur këtë vit dhe arsyeja se pse jepet në faqen Gurra Seniciote.
“Për herë të pare, 15 gushti i sivjetëm nuk i mblodhi seniciotët nga këtej e përtej detit, në Kodrën e Kuvendeve dhe të festave.
Shën Maria nuk e gjeti rrugën për të shkuar. Bërja e rrugës së Kardhiqit pritet të sjellë të mira shumë, por për Senicën nxitoi e erdhi e keqja, më parë se të vijnë këto të mira.
Rrugën e bërë me kontribute të banorëve, e përpiu “rruga e madhe”. Kjo arterie kryesore kalon për ndënë Senicë dhe bërja e nyjes lidhëse me 200 metra gjatësi, mbetet zgjidhje e munguar. Nëvend të saj u hodhën disa metërkub beton në supermaloren e hyrjes për në fshat. Dhe kaq.
Si të mos mjaftonte mungesa e rrugës, firma e ka lënë Senicën edhe pa ujë. Me punimet dëmtuan edhe tubacionin e ujësjellësit që kishin dhe u dhuruan senociotëve një verë të thatë. Hajde festo, pastaj, pa rrugë e pa ujë(!). Dhe tani nuk kanë veshë të dëgjojnë.
Këto të dyja janë arësye të forta dhe të dhimbshme për mungesën e seniciotëve në Pashkën e gushtit. Dëshpëruese. Siç nuk ka ndodhur ndonjëherë”. /sarandacity.al/