Prej vitesh, stafe mësuesish por dhe prindër, mbajnë sytë drejt një Ekokampusi, kështu quhet, ngritur pak më sipër ish-Shtëpisë së Pritjes, e cila do lehtësonte mbingarkesën me nxënës në shkollat e qytetit. Fjala është sidimos për dy shkollat 9-vjeçare, në të cilat mësimi bëhet me turne. Ndodh kjo sa herë afrohet nisja e vitit të ri shkollor.
Ndërtimi i kësaj godine gjysmë të xhamtë nisi që në kohën e qeverisjes Berisha, aty nga viti 2012, por kanë kaluar kaq vite dhe aty s’pipëtin asgjë veç gjinkallave rreth e rrotull saj.
Vlera e saj ka kushtuar mbi 3 miliard lekë.
Nga institucionet që kanë lidhje drejtpëdrejt me të, Bashkia e Drejtoria Arsimore, nuk ofrohet ndonjë arsyetim i caktuar se pse nuk po vihet në funksion apo se kur do të vihet. Në terren shenjat janë që asgjë s’duket në horizont në lidhje me një hapje të mundshme aktiviteti mësimor aty. Flitet se kompleksi ka mbetur vetëm për mobilimin e klasave, pra banka, por ambienti përreth tregon se nuk është vetëm ky aspekt i paplotësuar.
Godina është e rrethuar gjithë ferrishte, si dhe inerte gjithashtu dhe, nëse dikush s’është i njohur me statusin e saj, pra se për ç’është ndërtuar, vështirë të besojë se aty do jetë një institucion arsimor. Kjo sepse jashta saj nuk ka asnjë hapësirë që të bën të mendosh se aty është një shkollë. Më saktë, nuk ka oborr. Duke mos pasur oborr nuk ka as rrugë.
Kjo nuk e bën thjesht të paqartë por dhe gati të mistershëm fatin e ardhshëm, të shpejtë apo të vonë, të kësaj godine. /sarandacity.al/