Dy vjet më parë do ikte nga kjo botë një ndër ikonat e gazetarisë shqiptare, Fatos Baxhaku. Mjeshtër i reportazhit të shkruar, ai do qe i pari që me ciklin “Tunel” në fillim të viteve 2000 e më pas, do shkelte pëllëmbë për pëllëmbë Shqipërinë, zonat dhe fshatrat e saj, duke sjellë realitete të ndryshme dhe mjaft të veçanta rurale.
Ai shkroi dhe për Rezomën, ku ndër referentët e udhëtimit të tij aty pati të njohurin Kostaq Xuxi. Me të në krah, i ndjeri vizitoi dhe Senicën, duke e përshkruar më pas në detaje këtë fshat të zonës.
Në reportazh flitet dhe për rrugën e fshatit, që për ironi fati vijon dhe sot të jetë temë shqetësuese për senicionët.
Ja disa fragmente nga reportazhi:
“Njihemi me Kostaq Xuxin, drejtor i shkollës së Vergoit.
Xuxi, muzikant i shkolluar në Gjirokastër e Tiranë, kryetar i shoqatës ‘Senica’, është një nga njohësit më të mirë të krejt zonës.
Drejtori Xuxi është vetë nga Senica. Rrugën nga Tatzati drejt fshatit të tij e bën me shumë kënaësi. Na tregon se vetëm pak kohë më parë në Senicë nuk mund të shkonte makina, por një nga djemtë e fshatit ishte kujtuar të ndërtonte xhadenë, mbi të cilën po kalojmë tani.
Kur mbërrijmë në fshatin e krishterë, ka rënë muzgu.
Në qendër të fshatit takojmë disa pleq dhe fëmijë. Janë banorët e fundit në Senicë dhe nipërit e tyre, që janë kthyer për pushimet e verës.
Kalojmë me ngadalë mes shtëpive të gurta, që duken si të një shekulli tjetër. Na bëhet sikur në Senicë koha ka ngrirë prej kohësh. Një kalldrëm që të çon lart në kishë, tashmë nuk është gjë tjetër veçse një përrua gurrësh.
Ndahemi me kishën e vjetër dhe me këmbanaren që pret të kumbojë hareshëm.
Ka rënë nata e thellë. Makina jonë merr rrugën teposhtë.
‘E çish jinni more djema?’ na përshëndosh në labçe të kulluar një e moshuar, majë një mushke. Në qafë i tundet një kryq i madh”. /sarandacity.al/