Një vit më parë, për 3-4 ditë, radhë të gjatë kilometrike u krijuan para portave të Greqisë, në pritje për të kaluar në tokën greke me masat e reja anti-infeksion, diktuar nga fqinji.
Ishte diçka e pakrahasueshme me ato radhat e ca viteve më parë, gjatë kthimit nga pushimet, që edhe pse me logjikën e fluksit, konsideroheshin konspirativisht si inat grek.
Ndërsa të vjetshmet ishin në kufijtë e një katastrofe humanitare.
E në të tilla raste, ajo që impresionon pozitivisht, është solidariteti njerëzor. Njerëzor, jo ai shtetëror. Shteti në këtë rast, me strukturat e veta, bën vetëm detyrën. Mirë ose keq, ha gjithnjë debat.
Më e fundit shije e embël në hithtësirën e një fatkeqësie, ishte solidariteti i treguar në rastin e pasojave të tërmetit. Në ditët e para pas fatkeqësisë, ishte impresionuese të shihje se si vërshonin ndihma apo kontribute financiare nga çdo anë për të dëmtuarit.
Ndërsa në Kakavijë, një impresion i ngjashëm nuk u përjetua në asnjë çast të atyre pak ditëve me vuajtje biblike të atyre qindra njerëzve të mbetur të bllokuar në asfalt, me të mitur e të moshuar nën afshe përcëlluese gjatë ditës.
U angazhua ushtria dhe emergjencat civile duke shpërndarë bukë e ujë, si dhe WC portative, por popull, njerëz që dilnin nga shtëpitë e tyre e rendnin drejt vendvuajtjes, edhe ata me ujë e bukë, nuk u pa në asnjë orë të asaj drame me përmasa biblike.
Sprova më e fortë ishte për dropullinjtë, që e shihnin atë plojë njerëzore nga shtëpitë e tyre në shpatet anës rrugës, sigurisht dhe për banorët e Gjirokastrës.
Por duhen potencuar të parët, pra minoritarët. S’bën t’u hysh në zemër e të thuash se as që jua ka ndjerë për atë që ndodhte nën sytë e tyre, e as që aty, në atë vargan vuajtjesh kanë ndjerë hakmarrje për Kacifasin e Bularatit, pasi në atë masë njerëzore ka patur dhe aty minoritarë, por fakti është se askush prej tyre nuk zbriti në rrugë qoftë dhe me ca shishe ujë për të zhuriturit.
Ende nuk dihet realisht se ç’rol ka luajtur Kryepeshkopi Anastas në zgjidhjen e krizës, siç ministri Majko la të kuptuar se fjala e tij ka patur ndikim në Athinë, ama një thirrje publike e tij si bari për grigjën në jug të vendit, të ndodhur pak metra para asaj vuajtje publike, mungoi dhe duhej të ishte bërë.
Kjo, mungesa e solidaritetit njerëzor ato ditë, është shumë më tepër trishtuese se sa zhdërvjelltësia apo eficenca shtetërore e munguar, siç u pretendua.
Dhe kjo njollë ra posaçërisht mbi popullsinë minoritare…/sarandacity.al/