Ajo është një kala që ka si objekt kryesor një xhami, por në një shkrim dedikuar këtij objekti trashëgimor mbi Borsh theksohet vetëm kalaja, ndonëse fotot që ofrohen kanë dhe xhaminë, së jashtmi dhe së brendëshmi.
Është pikërisht ATSH që i ka kushtuar një shkrim kësaj trashëgimie monumentale, me titullin “Kalaja e Borshit i nënshtrohet mirëmbajtjes”.
“Borshi është një nga zonat turistike më të bukura të Rivierës Shqiptare, me ullishte që shtrihen deri afër detit e me një panoramë mbresëlënëse.
Por kjo zonë nuk është vetëm për turizëm bregdetar por dhe historik e kulturor. Në majë të fshatit të Borshit ndodhet Kalaja e Borshit apo siç njihet në histori si kalaja e Sopotit, prej nga mund të shohësh bukurinë e peizazhit nga lart.
Së fundi, Kalaja së Borshit i është nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes nga punonjësit e DRTK Vlorë.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti theksoi sot se, ‘punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë (DRTK Vlorë) kujdesen për çdo monument kudo që ato ndodhen’.
‘Ishte radha e Kalasë së Borshit për t’iu nënshtruar pastrimit e punëve të tjera të mirëmbajtjes’, theksoi ajo.
Kalaja e Borshit ndodhet 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në veri të fshatit Borsh dhe në perëndim të Fterrës. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare.
Borshi është një paketë e mrekullueshme turistike ku ndërthuret, natyra, plazhi, historia dhe legjenda. Borshi është vetëm 17 km larg Himarës dhe ka vijën bregdetare më të gjatë të Jonit”, shkruan ATSH. /sarandacity.al/