Viti i ri shkollor është shtyrë, nga data 13 shtator që ishte planifikuar, do të fillojë në 27 shtator. Lajmin e bëri me dije Ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila tha se ky vendim është marrë për të zgjatur periudhën e mësimit plotësues, i cili nis më datë 1 shtator 2021.
“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator por më 27 shtator 2021”, shkroi znj. Kushi
Ajo më tej sqaron detajet e kësaj vendimmarrjeje: “Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.
Këtë shtyrje ne e kemi reflektuar edhe në strukturën e viti shkollor për të gjitha nivelet. Kësisoj mbyllja shtyhet nga data 8 në 17 qershor. Për arsimin e mesëm dhe të lartë, nga data 15 në 24 qershor. Për maturantët shtyhet nga data 1 në 8 qershor. Shkolla hapet që me 1 shtator, do të zhvillohet mësimi plotësues por do kërkojmë nga shkollat të hartojnë një program të detajuar veprimtarish”, thotë ministrja. /sarandacity.al/