Gazetarja e TCH Anila Hoxha, i ka kushtuar një shkrim një akti dorëheqjeje, që sipas saj ka në thelb krenarinë e një labi, atë të kryeplakut të Kuçit.
Sipas saj, akti erdhi si një sosje durimi nga ajo se si po trajtohen kryepleqtë e fshatrave në lidhje më kultivimin e kanabisit.
“I fundmi kryeplak i arrestuar është ai i fshatit Bajzë në Malësinë e Madhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës meqenëse nuk tregoi që një banor aty përreth kishte mbjellë drogë. Gjuetia ndaj kryepleqve për të goditur fenomenin e kultivimit të hashashit përsëritet e riciklohet pambarimisht vitet e fundit, ashtu si ligji e kërkon gërmë për gërmë. Por, megjithë tringëllimën e prangave vetëm tek ata, asnjëherë nuk i është shkuar problemit të kanabizimit, aty ku vërtet duhet të trajtohet.
A ka ndonjë masë për një radhë të gjatë institucionesh që janë direkt përgjegjëse për ruajtjen, parandalimin dhe goditjen e kultivimit të drogës. Ku janë agjentët e Shërbimit Sekret, a kanë ndonjë informacion ata që do të mund ta referonin dhe do të ishte i vlefshëm për malet e fushat e mbjella me kanabis sativa? Ku është inspektori i zonës? Policia lokale, kriminale, antidroga, dronët, policia inteligjente, policia speciale?
Policia i është turrur kryepleqve, e dështuar që humbi marrëdhënien me publikun, me qytetarin, me informatorin që duhet të rrëfehej tek ajo për tipat e çuditshëm, të huajt që hyjnë nëpër fshatra me makina të çuditshme, që punësojnë skuadra që të hapin shkurre e të mbjellin jeshilen. Dhe policia kërkon të na tregojë se gjithë këtë organizim duhet të na i tregojë kryeplaku, i ri apo plak qoftë që paguhet 6 mijë lekë krejt simbolikisht? Shumë fshatrave, policia u ka kapur përfaqësuesin lokal, bash për dyshime droge dhe bash për mungesë totale provash ata dalin të lire”, shkruan ndër të tjera gazetarja Hoxha, duke mbërritur te rasti i dorëheqjes së kryeplaku të Kuçit.
“I lodhur nga kjo tollovitje dhe ngarkesë mbi shpinë, Veip Lalaj, 49 vjeç mori vendimin e beftë kur pa se iu sos durimi dhe krenaria e labit nuk mbante më. Më tregon se e dorëzoi vulën pikërisht për shkak të hashashit, pasi sipas tij policia e mësuar të trokasë në dyer kryepleqsh do i rikthehej në shtëpi.
‘Fshati më zgjodhi në 2019, duhet të punoja për fshatin. Problemin e shtrova gjatë një takimi në Vranisht. I thashë: O ti prefekt, ç’borxh kam unë me drogën, nuk i kontrolloj dot mallet? Shikoni ligjin thashë’.
Kur nuk mori asnjë përgjigjje, kupa e tij u mbush.
‘Indicia ishte se në fshatin Corraj kaloi policia dhe më tha hajde nesër në Himarë. Shkova por jo në polici, shkova në Bashki dhe dorëzova vulën’, më rrëfehet labi.
Për të shkuar në Kuç duhet të udhëtosh mespërmes një gjerdani fshatrash të Labërisë. Të gjithë kryepleqtë presin trokitjen ashtu si Veip Lalaj, banor i Kuçit dhe deri dje kryeplak.
Ai e dorëzoi dhe më thotë: ‘Dua te fle gjumë rehat, vjen policia hajde jep deklaratë, ku ta gjej unë, ku ta di unë se çfarë është bërë në male’.
Ndërkohë në Kuçin ku kryeministri bëri parashikimet e zgjedhjeve që lamë pas, mbulesa e shkruar prej tij është varur në mur si një dekoratë me te cilën mburren. Sakaq vula që përfaqëson ata për ujin, dritën, malin, fushën dhe varrezat ku prehen të vdekurit është dorëzuar.
Le ta besojmë që u dorëzua pa asnjë shkak dhe jo nga droga”, përfundon shkrimin e saj kolegia e TCH. /sarandacity.al/