Rreth 3-4 orë zgjati një batërdi muzikore mbrëmjen e së shtunës në shëtitore, organizuar nga një kompani celulare private si formë e marketimi të vetëvetes. Duhet theksuar ky fakt pra. Është një subjekt privat që ka interesa private, pavarësisht metodës që zgjedh se si. Në këtë rast kishte zgjedhur një shfaqje muzikore. Pa iu futur repertorit, një muzike tejet të diskutueshme sot, që së bashku me tekstet ka diçka vrastare për shijen e kultivuar njerëzore, ajo rrëmben, pa sens mase, të drejtën e atyre që s’e honepsin as llojin e muzikës që performon e as decibelët e çmendur të saj.
Pra, jemi në atë pozitë për të potencuar dhe njëherë se stadi aktual i konteksteve turistike, siç ndodhet Saranda, është ai i një beteje mes shtetit dhe privatit. Ky i fundit, në pangopësinë e vet karakteristike, duket se, së paku në Sarandë, e ka vënë shtetin përpara.
Për këtë mjafton si tregues ndotja akustike e këtij sezoni. Në fakt, një dhunim akustik i privatit mbi publiken.
Sezoni që po ikën dalëngadalë do të mbahet mend pikërisht dhe për këtë gjë në sens jopozitiv, si ndër handikapet kryesore.
Orët e mbrëmjeve në Sarandë mund të jenë unike, të pangjashme me të dytë në vende të ngjashme, ku në eter është një mishmash muzikor, që kryeministri me të drejtë e quajti zhurrmë pak javë më parë.
Dhe shteti është i pafuqishëm ta frenojë këtë psikopati privatësh, të cilët nuk dihet se si kanë dalë në përfundimin se sa më shumë ta ngresh zërin e muzikës aq më shumë rrjedh paraja(!).
Ajo është punë e tyre, punë e shtetit është t’i vërë fre.
Kjo duhet të ndodhte dhe të shtunën mbrëma. Askush, prej atyre që s’i ka kapluar çmenduria e një kohe të çmendur, e cila reflektohet që në llojin e muzikës që lançohet e dëgjohet, një degradim total, s’ja ka borxh një privati, sado i fuqishëm të jetë ai, ta durojë deri në katër orë deri sa të pushojë. /sarandacity.al/