Në një shkrim nga SCAN dedikuar plazheve në kohën e komunizmit, thuhet se në vitin 1984 do të hartohej një projekt i posaçëm për zhvillimin e bregdetit shqiptar. Ky projekt në fakt bëhej në një kohë kur Shqipëria kishte nevojë të madhe për valutë të huaj e në kushtet ku po vuante pasojat e një krize të thellë ekonomike.
Dhe një vendim i 31 gushtit të vitit 1984, pra si sot 37 vite më parë, parashikonte se kapaciteti i përgjithshëm vjetor i plazheve për 5-vjeçarin e 8-të 1986-1990 do të plotësonte nevojat për pushim 15 ditor (në 6 turne) në masën mbi 5 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë së vendit.
Me një përllogaritje të thjeshtë, shkruan SCAN, kapaciteti i plazheve shqiptare ishte për të plotësuar nevojat e pushimit për 150 mijë persona. I njëjti vendim parashikonte se në planet rregulluese deri në vitin 2000, plotësimi i nevojave për pushim do të rritej në masën 10 %, pra për rreth 300 mijë pushues.
Vendimi përcaktonte gjithashtu zhvillimin e 13 plazheve ekzistuese: Shirokë e Velipojë në rrethin e Shkodrës, Shëngjin në rrethin e Lezhës, Currila, Durrës dhe Golem në rrethin e Durrësit, Divjakë në rrethin e Lushnjes, Plazhi i Skelës, Uji i Ftohtë dhe Dhërmi në rrethin e Vlorës, Borsh dhe Sarandë në rrethin e Sarandës dhe Pogradeci.
Ndërkohë, plazhet e vendit në këtë periudhë klasifikoheshin në lokale, rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Dhe si klasifikohej Saranda?
Ajo përfshihej si plazh kombëtar dhe ndërkombëtar.
Plazhe kombëtare cilësoheshin plazhi i Velipojës në Shkodër, i Shëngjinit në Lezhë, i Durrësit, plazhi i Golemit, plazhi i Divjakës, i Skelës, Ujit të Ftohtë, Dhërmiut, Sarandës dhe Pogradecit.
Ndërsa plazhe ndërkombëtare, pra destinuar për të huajt, ishin plazhi i Durrësit ku ishin ndërtuar edhe resortet përkatëse, plazhi i Golemit ku kishte një zonë të veçantë nga plazhi ekzistues, plazhi i Sarandës, plazhi i Pogradecit”, raporton SCAN. /sarandacity.al/