Çfarë do lexoni më poshtë është e shkruar në 2007. Nëse nuk do theksohej ky vit, e shkruara mbi Sarandën do ngjante si aktuale.
Është një ndër shkrimet më kritike të të ndjerit Maks Velo, i cili sot do mbushte 86 vjeç nëse do jetonte.
Sarandën e kishte ndër bregat e tij urbane.
Është interesante të lexohet ajo çfarë ka shkruar ai pra 14 vjet më parë. Është interesante për faktin se mbetet i vetëm në një qasje kritike joshabllone ndaj Sarandës. Sot, një debat i tillë mbi qytetin, ashtu siç e shtron i ndjeri, as që ekziston. Duhej të qe kryesori në fakt, nga zëra të shoqërisë civile në jetën e qytetit, nga arkitektë profesionistë dhe më kryesorja nga vendimmarrës politikë ose nga pretendues për qeverisje lokale.
Në narrativën zyrtare, Saranda është ngushtuar në shëtitore, ose quhet shëtitorja, si dhe sa prurje ka në sezon. Pjesa tjetër janë hallet e rëndomta të një qendre banimi.
Shkrimi nga Maks Velo: Qyteti vetëvrasës!
Qytetet më të vlerësuara kanë një curriculum në vazhdimësi. Saranda ka lindur si fshat dhe më vonë si një qytet i vogël portual dhe peshkatarësh që më vonë mori dhe funksione administrative.
Qyteti i vogël u rivlerësua kur u bënë zbulimet e rëndësishme arkeologjike në afërsi dhe kur filloi të marrë vlera si qytet turistik. Këto funksione duheshin ruajtur në raporte të studiuara mirë. Sot është e vështirë të lexosh kontekstin funksional të qytetit. Nuk është as port, as qendër administrative, as qytet turistik, sepse funksionet janë difizuar, është prishur propocioni dhe ekuilibri, i cili çon përpara zhvillimin normal të një qyteti.
Nëse qelizat nuk ruajnë propocionet dhe kemi superprodhim vetëm të njërës, atëherë kemi fenomenin vrastar kancerogjen. Kjo ngjau me Sarandën. Ndërtuesit po ngrejnë një qytet tjetër tërësisht, të pastudiuar dhe fantazëm. Saranda është bërë e frikshme. Janë disa qytete tek ne, si Tirana, Durrësi, Vlora, por jo në këtë përmasë. Këtu impakti është menjëherë i dukshëm dhe katastrofik.
Harxhohet gjithë kjo energji e vlerë materiale për të vrarë veten!
Qytet vetëvrasës, si Saranda nuk ka në Mesdhe. Në asnjë vend turizmi nuk bëhet me pallate dhe apartamente. Qyteti është shpërfytyruar.
Qyteti është pa infrastrukturë, pa parkingje, pa fusha sporti, pa sheshe për lojra fëmijësh, pa teatro dhe kinema verore. Nuk u intereson asgjë. Vetëm të sheshin apartamente dhe kaq, e kujtojnë se do të pasurohen.
Pse nuk pyesin në Budva si është ky raport, si e ndërtojnë ata infrastrukturën hoteliere?
Saranda sipër nuk e meriton detin poshtë. Ishin dy pjesë në harmoni, tani janë në armiqësi. Qyteti është në armiqësi me malin dhe me detin.
Numri më i madh i shfaqjeve në Festivalin e Butrintit ishte tragjedi. Por asnjëra nga ato nuk arrinte të më trondiste aq sa pyetja e vazhdueshme që flinte brenda meje dhe nuk m’u nda asnjë çast: Pse nuk jemi ne gjendje? Pse nuk jemi në gjendje të bëjmë një gjë të mirë?
Pse nuk arrijmë t’i afrohemi dot veprës arkitektonike, teatrit të Butrintit, një perfeksion konceptimi dhe zbatimi? /sarandacity.al/