Edhe pse jo plak, por gjithsesi në pension, Halil Shabani ka pasionet e një të riu, pikërisht në fushat që ai, pa asnjë devijim, i ka kushtuar jetën e deritanishme, qyshse përfundoi studimet.
Ato janë gjurmimet historike por sidomos arkeologjike, si dhe librat, botimet, diku krijimtari poetike, por më së shumti studimore.
I fundit është mbi Vërvën, një monografi e pasur për këtë fshat çam të Konispolit, prej nga është dhe vetë Halili, aty, nga Shalësi.
Rikthimi në Shalës pas studimeve në Tiranë, thotë ai, ku iu kushtua profesionit të arsimtarit për vite e vite me radhë, i nxiti dhe pasionin mbi arkeologjinë, të cilën vijon ta ketë të ndezur, pasi ka shumë për të thënë në këtë lëmë.
Si karrierë arsimore, ai, pasi përfundoi studimet për Histori – Gjeografi në Tiranë në vitet ‘60 – ’70, e pati fillimisht në Bujqësoren Delvinë, për të vijuar me drejtor shkolle në Shalës, më pas në gjimnazin e Konispolit, inspektor arsimi në Sarandë, për të provuar më pas të qënit kryetar komune në Markat, si dhe drejtor i Monumenteve të Kulturës në Sarandë.
Paralel me këto detyra, ai s’i është ndarë nëntokës së zonës, si kërkues copëzash të qytetërimeve antike, ku beson se ka hasur dhe në një qytet të nëndheshëm – Vastroin, sipas një toponimie ekzistuese, por që nuk është zbuluar ende.
Gjithashtu, në Konispol, Livadhja e fshatrat minoritarë të zonës, në një eksplorim të atyre anëve, beson të ketë zbuluar 140 vendbanime të reja antike, ndërsa po përgatitet për të sjellë hartën arkeologjike të pellgut të lumit Pavla, lumi më jugor i Shqipërisë, që nis nga Leshnica dhe derdhet në Kepin e Stillos.
Ndërkohë, po përgatit dhe një libër gjithashtu arkeologjik për Delvinën, me 80 përqind zbulime dhe të dhëna krejtësisht të reja.
Pra, i duhet dhe tjetër jetë për synimet profesionale, që në fakt janë shumë më tepër se kaq, janë dhe pasione të pashuara të mbrujtura me atdhedashuri. Prej tyre, duket sikur jetën e ka përpara.
Por së fundi në qarkullim është “Vërva” e tij, historia, zhvillimi, karakteristikat, njerëzit e këtij fshati, të sjella në rreth 400 faqe. /sarandacity.al/