Plazhe të reja, nga privatë anonimë për momentin, janë parë të hapen në zona ta pyllëzuara të Ksamilit, aty ku natyra është tërësisht e virgjër dhe në pikëtakim me detin përbën një kartolinë me pamje që të vjen keq të grisësh.
Por duket se grykësia e viteve të fundit, e cila ka shkaktuar kafshim pas kafshimi në Ksamil, duke mos kursyer as ishujt, nuk pyet për të tilla sentimente. Në fakt nuk është fjala thjesht për sentimente por për krime mjedisore në zona të mbrojtura, siç është Ksamili, ku shteti si roje ngjan me ato të lodhurit që kanë zakonisht policitë private për në vende e objekte pa risk.
Ky lloj vendi ku është bërë ky kafshim ishte i huaj dhe për dhitë e jo më njerëzit.
Dhe nuk është fjala për investime strategjike, ku pra, sipas vizionit të shtetit për zhvillimin e turizmit, investitorë të mëdhenj ndërtojnë resorte, ku debati më pas është stili i ndërtimit, pra sa ekologjike janë, që të mos e cenojnë natyrën. Jo! Janë thjesht privatë, që sipas përvojës së deritanishme, o janë sfidues shteti në bazë të statusit të tyre shoqëror plot hije, o janë, bash për këtë arsye, korruptues shteti. /sarandacity.al/