Ky sezon do të mbahet mend ndër të tjera dhe për tërsëllimën e shtuar muzikore të anijeve shëtitëse, ndotëse akustike pa karar, por dhe pa logjikë tregu. Nuk e di kush jua ka mbushur mendjen se njerëzit dynden drejt tyre nga muzika, madje sa më e shëmtuar të jetë ajo.
Dhe nuk kuptohet se pse tërsëillima e tyre theksohet në nisje, aty nga orët e para të paradites, krejt në qejf të vetë, shtet me vete, pa pyetur për shtet, pasi ky i fundit nuk ekziston para dalldisë së tyre, si dhe në ardhje, ku për më tepër vënë të njëjtat këngë, si në furgonat e viteve ‘90-2000’, ku laj-thaj, shoferi kishte vetëm një kasetë, e cila vihej dhe rivihej me rregullsi torturuese.
Dhe po ashtu nuk kuptohet se cili është konteksti i ca tallavave idiote kinse patriotike pasi ke shëtitur dhjetra njerëz në ca plazhe piktoreske.
E gjitha çfarë mund të shpjegohet është papërputhshmëria mes tokës dhe detit te ne. Ose thënë ndryshe, njeriut dhe pasurisë natyrore që ai ka përpara.
Thjesht duhet të presim kur të vijë, nëse do vijë ndonjëherë, një pushtet lokal që, në dhënien e një lejeje për aktivitet turistik, t’i bëjë një vetting kulturor njeriut që do ja japë. /sarandacity.al/