Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri do të pajisen tashmë me karta elektronike me të dhëna biometrike, ndryshe nga varianti i deritanishëm që ishte thjesht një dokument në formatin e letrës A4.
Kjo risi u tha nga ministri Bledi Çuçi, i cili ishte në një prej zyrave të aplikimit në Tiranë për t’u njohur me këtë proces që vjen në kuadër të dixhitalizimit të shërbimeve të Gjendjes Civile.
“Besoj se rreth 20 mijë shtetasit e huaj që janë me leje qëndrimi në Shqipëri, do kenë tashmë një mundësi shumë të mirë për të lehtësuar marrjen e shërbimeve në shtetin shqiptar.
Është një kartë që unë do ta quaja shumë moderne, sepse për sa i takon veçorive dhe informacionit që ka, është e njëjta me atë që kanë shtetasit shqiptarë, si kartë elektronike.
Pasja e këtij dokumenti të ri është një element më shumë për t’u ndier shqiptarë, ashtu siç besoj se janë ndier deri tani, pavarësisht se kanë pasur si leje qëndrimi vetëm dokumentin e thjeshtë format A4”, tha Çuçi.
Më tej ai njoftoi se të gjithë shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri kanë 30 ditë kohë për t’u paraqitur në zyrat e kompanisë “Aleat” në të gjithë vendin për të aplikuar për dokumentin e ri elektronik me të dhëna biometrike.
Kujtojmë se ky është një lajm i mirë për shumë të huaj që jetojnë në Sarandë, të cilat përbëjnë madje një komunitet më vete. /sarandacity.al/