Në Ksamil, një grup qytetarësh, aktivistësh dhe nxënësish kanë ndërmarrë një inisiativë në kuadër të projektit “Ksamil i pastër”.
Fëmijët e shkollës “5 Dëshmorët” kanë ideuar logon turistike të Ksamilit dhe kanë ndërmarrë fushata të ndryshme, që nga nxitja e përdorimit të çantave prej cohe e deri tek adoptimi i koshave të hedhjes së mbeturinave.
Koshat janë vendosur në çdo stacion autobuzi, në sheshet e qytetit, në rrugët me trotuar dhe ato me fluksin më të lartë të këmbësorëve.
“Pas një pune sa të lodhshme por të bukur dhe me aq vlerë për shtëpinë tonë, Ksamilin, shpresojmë dhe besojmë që të kemi dhënë një mesazh të rëndësishëm për vendin ku jetojmë por mbi të gjitha për shëndetin e të gjithëve.
Falenderoj prindërit e 53 fëmijëve që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë në këtë situatë të vështirë për mbështetjen që na kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin.
Ne bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, u shpreh Zhuljeta Caka, mësuese e kësaj shkolle, duke huazuar një citat të Nënë Terezës.
Fëmijët janë organizuar për të mbledhur mbeturinat në ishujt e Ksamilit dhe për të ndërgjegjësuar jo vetëm turistët e zonës por dhe banorët që jetojnë aty.
Në qytet ka me dhjetëra zona ende të ndotura të cilat kërkojmë së pari ndërgjegjësim.
Aktivisti Soraldo Nebo shprehet se dy janë sfidat: sjellja e vendasve në mënyrën si e trajtojnë natyrën dhe menaxhimi i dobët nga ana e institucioneve përkatëse.
Numri i bizneseve që është duke respektuar detyrimin ligjor për të blerë kontenierin e tij është gati i papërfillshëm dhe ky është hapi i radhës që kjo inisiativë qytetare synon që të ndryshojë. /sarandacity.al/