Eduart Gjopalaj është një mjeshtër i punimit të drurit. Profesionin e ka fituar në mënyrë autodidakte dhe tashmë ka tre galeri arti në Santorini.
Gjatë një interviste për “Abc-ja e mëngjesit”, ai tregoi se në fillim punonte si marangoz dhe skulpturën e ka nisur krejt rastësisht.
“Në fillim fillova pasditeve pas pune kur kisha kohë të lirë, ku rastësisht gjeta dhe vegla për skulptor. Dyqanin e parë e hapa në 2005 por ishte e vështirë sepse punoja ditën që të paguaja qiranë dhe shpenzimet”, tha ai.
Më tej, Eduarti tregoi dhe historinë e pabesueshme me miliarderin Jeff Bezos. Ai tregoi se kishte vizituar njërën prej galerive të artit që zotëron por nuk e kishte njohur.
“Po ta dija se kush është nuk do të ikte nga galeria pa bërë muhabet me një shqiptar. Nuk bleu dhe aty më bëri përshtypje. Nuk pyeti fare”, tha ai. /ABC/