Deri para 25 vitesh, askush nuk mund ta imagjonte se ekipi i futbollit të Kukësit fitonte kampionat të Kategorisë së Parë (sot Superiore) e do qëndronte në krye të klasfikimit duke qenë një ankth për big-ët tradicionalë.
Ishte pak a shumë me të njëjtin nivel me Butrintin. Siç ishte dhe Laçi (Industriali – prej së cilit rridhte dhe thirrja tifozerike: Industrial, Industrial, o fitore o skandal”), me të cilin sarandiotët do ndeshen për Kupë Republike.
Me një emër proletar pa pikë lidhje me atë çfarë ofron Kukësi historikisht e gjeografikisht – Përparimi – futbolli i qytetit verior do endej tradicionalisht në kategorinë e tyre, ku sfidat më të mëdha i kishte në rrafshin rajonal, të mundte rivalë si 31 Korrikun e Burrelit apo Korabin e Peshkopisë, të cilët nga ana e tyre pretendonin kategorinë e parë. Gjithnjë duke iu referuar viteve ’80. Me futbollistë cilësorë si Sinani, Gërxhaliu apo më vonë Domi, Përparimi i Kukësit mbetej ndër më modestët e kategorisë së dytë.
Ndryshe ishte Skënderbeu. Edhe pse një ekip që njëherë në tre vjet rrezikonte të binte nga e para në të dytën, e ku një në katër binte realisht, mbetej ndër ekipet më simpatike të futbollit shqiptar. Me emra si Todi Vaso, Stratobërdha, Xhambazi, Dembo, vëllezërit Kërçiç e porteri Jani Kaçi, edhe pse nuk qe ekip elitë, kishte gjithsesi një emër në futbollin shqiptar.
Nga ana tjetër, askush nuk e kish imagjinuar se big-ët e asaj kohe, 17 Nëntori (sot Tirana), Partizani, Dinamo, Vllaznia, Flamurtari apo Lokomotiva, (sot Teuta) do ishin nën takat e modestëve apo të panjohurve të deridjeshëm.
Eshtë rasti këtu të kujtojmë se nga elita e futbollit ka dalë Elbasani (Labinoti i djeshëm), që në mesin e viteve ’80, kur treshja kryeqytetase “bënte ligjin”,ndjekur nga Flamurtari e Vllaznia, ekipi i emrave si Tafani e Gogunja do dilte kampion.
Ka humbur gjithashtu Tomori i Beratit që nxirrte emra si Mile, Kovaçi, Karkanjozi e Kokalari.
Ka ruajtur një ekuilibër Luftëtari i Gjirokastrës, që ato vite do nxirrte treshen shkatërruese Boni-Braho-Kalluci, por ndërsa ekipe në nivelin e saj nuk kanë pësuar tronditje të mëdha, po vuajnë këto vite nxjerrje emrash, siç ka qenë traditë në historinë e tyre: Lokomotiva (Teuta sot), e vëllezërve Ballgjini, Hados apo portierit Maliqati, apo Flamurtari i yjeve si Vasil Ruci, Sokol Kushta, Rrapo Taho, Alfred Ferko etj.
Ndryshe tyre, Vllaznia e emrave të mëdhenj si Ragami, Vukatana, Zmijani, Dedja, porteri Dani, Kepaj e Barbullushi, edhe pse prej vitesh nuk shkëlqen si ekip, vijon të nxjerrë talente parreshtur.
I mungon elitës së sotme dhe Besa e Kavajës. Në të njëjtin nivel me Skënderbeun e Korçës atëkohë, ajo nxorri emra të mëdhenj si Pagria, Kuriu apo Bajaziti. Deri para pak vitesh, ajo së bashku me Dinamon i jepte tonin futbollit shqiptar, ku më pas që të dyja nisën rënien e madhe, për t’u pasuar nga Tirana.
E ndërsa Partizani pas vitesh në krizë së paku ka zënë një vend në Superiore, edhe me pretendime për titull, dy ekipet e tjera kryeqytetase ende lëngojnë. Mungon gjithashtu dhe Apolonia e Kujtim Majacit, që identifikohej ato vite me këtë emër, pasi qe një makineri golash.
Është e tepërt të përmendësh se ç’emra kanë patur ato dikur, se ç’lojë dhuronin, aq sa ndoshta nuk gjendet rast i dytë, së paku në Europë, ku futbolli i një vendi të ketë pësuar një metamorfozë të tillë ku shumëçka nga e djeshmja është kthyer kokëposhtë.
Ndaj, edhe kjo mund të qe një shtysë për sarandiotët që të synojnë atë ku është sot Kukësi, gjersa për dekada kanë qenë gati njësoj në nivel. /sarandacity.al/