Njeriu që gëzon një reputacion të padiskutueshëm në Sarandë, si emër i drejtësisë lokale, prokurori Lorenc Mërkuri, pati një mbrojtje jo të lehtë në vetting, pasi KPK(Komisioni i Pavarur i Kualifikimit), ngriti shumë dyshime ndaj tij, deri dhe për fshehje të pasurisë.
Ai, siç thuhet në një shkrim të Reporter.al, kundërshtoi barrën e provës për pasurinë, si dhe një raport negativ të DSIK-së për figurën.
Shkrimi:
Prokurori Lorenc Mërkuri i Prokurorisë së Sarandës u përball të martën më 21 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës dhe gjetjet e hetimit administrativ në të tri kriteret e rivlerësimit.
Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Mërkuri kryesohet nga Lulzim Hamitaj, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.
Lorenc Mërkuri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Sarandës. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe prej dhjetorit 2013 e në vazhdim ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Sarandës.
Problemet për pasurinë
Bashkëshortja e prokurorit Mërkuri ka pasqyruar në deklaratën veting 1/3 pjesë takuese të një apartamenti 69.3 m2 në vendin e quajtur “Kanali i Çukës” në Sarandë, të blerë në vitin 2011 nga prindërit për çmimin 3.1 milionë lekë. Si burim krijimi ajo ka deklaruar shitjen e një apartamenti nga prindërit dhe të ardhurat e tyre nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA.
Nga hetimi ka rezultuar se duke përfshirë edhe sipërfaqen e ballkonit dhe atë të përbashkët, sipërfaqja totale e apartamentit është 108 m2. Duke iu referuar sipërfaqes së përgjithshme, Pine tha se çmimi i blerjes është shumë i vogël krahasuar me atë të referncës.
Në vijim ajo konstatoi se sipas të dhënave të sistemit TIMS, në datën kur është nënshkruar kontrata e shitblerjes, bashkëshortja e subjektit dhe prindërit e saj kanë rezultuar të kenë qenë jashtë Shqipërisë, në SHBA. Pine shtoi se kalimi i pronësisë në emër të prindërve është kryer nga bashkëshortja e subjektit.
Sipas KPK-së, duket se subjekti është përpjekur të fshehë këtë pasuri në deklaratat periodike dhe se ka kryer deklarim të rremë për burimet e krijimit, duke cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Ndërkohë, është konstatuar pamundësi financiare e prindërve të bashkëshortes për blerjen e kësaj pasurie, pasi të ardhurat e siguruara nga shitja e apartamentit të mëparshëm në vitin 2007 janë konsideruar si burim i paqartë për blerjen në 2011-ën, si dhe nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat e tyre në SHBA.
Prokurori Mërkuri u ndal gjatë në shpjegimet e tij duke lexuar thuajse të gjithë parashtrimet me shkrim. Ai i kundërshtoi konstatimet e KPK-së për apartamentin në pronësi të bashkëshortes së tij dhe prindërve të saj. Subjekti këmbënguli se nuk ishin ata iniciuesit e blerjes së kësaj pasurie, por prindërit e bashkëshortes dhe pretendoi se e kishte deklaruar rregullisht.
Sipas Mërkurit, çmimi i blerjes së apartamentit ishte sipas atij të referencës dhe se në hipotekë regjistrohej vetëm sipërfaqja e shfrytëzueshme.
Ai kundërshtoi konstatimin e Komisionit se bashkëshortja dhe prindërit e saj nuk janë ndodhur në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës. Mërkuri solli si agument faktin se bashkëshortja kishte qenë në punë në bankë dhe se nuk mundej të largohej nga puna për 10 muaj dhe njëkohësisht të paguhej. Ai pretendoi se kishte dorëzuar dokumentacion për të vërtetuar këtë fakt.
“Edhe prindërit e bashkëshortes apo noteri nuk mund të bënin gabime të tilla”, pohoi Mërkuri dhe shtoi se sistemi TIMS ka probleme dhe nuk mund të merret si provë.
Ai pretendoi se kishte siguruar dokumentacion ligjor se prindërit e bashkëshortes kanë pasur burime të mjaftueshme dhe se shlyerja e vlerës ishte kryer me disa këste.
“Unë e kam banesën në Sarandë me sipërfaqe normale për të jetuar. Nëse do ishte e bashkëshortes nuk kishte pse të mos e deklaroja, pasi prindërit e saj kanë pasur burime të ligjshme”, pohoi Mërkuri. “Nuk kisha pse ta fshihja dhe për më tepër të vendosja emrin e bashkëshortes. Pretendimi për të atribuar pasurinë e prindërve të bashkëshortes si tonën është i pabazuar,” theksoi ai the vijoi se në atë kohë nuk e dinte që do të emërohej si prokuror dhe as që do të kryhej veting në sistemin e drejtësisë.
“Nuk mund të gjykohem pse vjehrri dhe vjehrra duan të kalojnë një pasuri të ligjshme tek vajza e tyre,” tha ai dhe mohoi të kishte cënim të besimit të publikut në këtë transaksion.
Për blerjen e një autoveture tip “Audi” në vitin 2015 kundrejt vlerës rreth 1 milion lekë, subjekti ka deklaruar shumën 400 mijë lekë të dhuruar nga vjehrri; kursime në shumën 150 mijë lekë dhe çmimin e shitjes së një Benzi në vlerën 500 mijë lekë.
Nga hetimi i kryer për mundësinë e blerjes së automjetit të llojit Benz, KPK ka konstatuar se Mërkuri ka deklaruar si burim krijimi në vitin 2010 një hua banakre në shumën 10 mijë euro. Sipas KPK rezulton se subjekti ka hyrë në Shqipëri me këtë makinë në maj të vitit 2009 dhe më pas në shkurt të 2010-ës.
Nisur nga ky konstatim, Mërkuri ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se e ka blerë mjetin në Gjermani në vitin 2009 për shumën 6000 euro dhe se ka marrë një hua nga shtetasi T.N. në vlerën 8000 euro. Ai ka shtuar se e ka marrë kredinë për shlyerjen e huasë dhe pagesën e zhdoganimit të mjetit.
Sipas Komisonit, kredia është disbursuar pas blerjes së mjetit në 2009-ën dhe nuk mund të ketë shërbyer si burim. Ndërkohë, huaja nga T.N. nuk është deklaruar asnjëherë më parë. Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për deklarim të rremë në deklaratën veting pasi ka ndryshuar burimin për Benz-in; se nuk ka pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasuriep; si dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij duket se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Mërkuri shpjegoi se rezultonte që të kishte dy hyrje drejt Shqipërisë me automjetin tip Benz, pasi në 2010-ën kishte shlyer detyrimet doganore. I pyetur për më shumë detaje për këtë transkasion nga relatorja Pine, kryesuesi Hamitaj dhe vëzhguesi Petkoviç, subjekti pohoi se herën e dytë nuk kishte pasur hyrje të tij apo të mjetit, por se dokumentacioni ishte formal dhe se ishte kryer nga institucioni i doganës. Ai tha se nuk mund të mbante përgjegjësi për veprimet e një institucioni.
Lidhur me mosdeklarimin e huasë nga T.N., subjekti pretendoi se e kishte shlyer brenda vitit dhe nuk kishte pasur detyrim për ta deklaruar.
Komisioni konstaton pasaktësi në deklarimin e gjendjes së një depozite të çelur për fëmijët në vitin 2010, që në 2016-ën ka qenë në vlerën 1.5 milionë lekë. Gjithashtu, ka rezultuar balancë negative në shumën 385 mijë lekë për krijimin e asaj shume. Mërkuri pretendoi se kishte qenë korrekt në deklarimin e kësaj depozite dhe se kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre.
Mërkuri ka deklaruar se marrë hua një shumë 10 mijë USD nga daja i bashkëshortes, vlerë që sipas tij e ka depozituar cash si garanci për marjen e vizës në SHBA. Sipas KPK, nuk është provuar mundësia financiare e huadhënësit me burime të ligjshme për krijimin e shumës 10 mijë euro.
Subjekti deklaroi se huaja ishte marrë për pakë kohë për garanci dhe ishte kthyer duke mos pasur asnjë efekt në pasuritë e tij. Ai pretendoi se daja i bashkëshortes kishte pasur burime të ligjshme pasi kishte shitur në atë kohë edhe një objekt me tre kate në buzë të detit.
Pine relatoi në seancë mosdeklarimin nga babai i Mërkurit, i cili ka qenë gjyqtar, të një apartamenti me sipërfaqe 93 m2 + shtesë 40 m2 dhe një apartament tjetër me sipërfaqe 112 m2 + zyrë 20 m2 + truall 150 m2, në bashkëpronësi me katër avokatë të tjerë. Ndërkohë, këto pasuri rezulton të jenë deklaruar nga babai i subjektit në vitet 2004 dhe 2005.
Në seancë u tha se në deklaratën e subjektit të viti 2012 nuk është pasyqruar edhe një garazh me sipërfaqe 23.8 m2 i ndërtuar pa leje në vitet ’95 -‘96. Gjithashtu, ka rezultuar se nuk është deklaruar në vite edhe një truall me sipërfaqe 4200 m2, ku babai ka qenë trashëgimtar me 1/5 pjesë takuese. Ka rezultuar se kjo pasuri është përfituar nga gjyshi i subjektit si ish-pronar me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të vitit 1994.
Mërtiri sqaroi se babai nuk i ka deklaruar pasi kishte qenë vetë subjekt dhe i kishte deklaruar më parë. “Ka menduar se ka qenë e deklaruar,” tha ai.
Figura dhe profesionalizmi
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK e ka ndryshuar qëndrimin e saj nga pozitiv në negativ. Në rapotin e dytë të DSIK-së për prokurorin Mërkuri ngrihen dyshime për përfshirje në veprime korruptive në disa çështje penale si dhe dyshime për kontakte të papërshtatshme në takime të qëllimta.
Relatorja Pine shpjegoi se Komisioni ka vlerësuar disa dosje dhe se subjektit i është kaluar barrë prove për konstatimet e DSIK për papërshtatshmërinë, si dhe për konstatimet e KPK që nuk u bënë me dije në seancë.
Mërkuri e cilësoi raportin e dytë të DSIK-së të pavërtetë, përgjithësues dhe pa asnjë provë. Ai u shpreh se në dosjet e analizuara nga KPK rezultonte se kishte kryer detyrën. “Fakti se subjektet e hetuara nuk janë dakord me mua, nuk do të thotë se kanë të drejtë,” tha ai lidhur me konstatimet në dosjet e analizuara prej KPK-së.
Për profesionalizmin u relatuan një duzinë denoncimesh nga publiku, ku ankuesit kanë pretenduar më së shumti se subjekti ka pushuar hetime për trafikantë droge; ndaj të akuzuarve për korrupsion; se ka tjetërsuar pronën duke ia dhënë një trafikanti droge që është nipi i bashkëshortes; për mangësi profesionale dhe shkelje ligjore.
Mërkuri i konsideroi edhe të pabazuara edhe pretendimet e denoncuesve. Ai i cilësoi denoncimet si hakmarrje të të pandehurve ndaj dënimeve që ai kishte kërkuar ndaj tyre.
“E konsideroj hakmarrëse se kam kryer detyrën sipas ligjit dhe i pandikuar,” deklaroi Mërkuri si përgjigje ndaj 7 denoncimeve të kryera nga i njëjti person me inicialet A.R, për të cilin tha se kishte kërkuar dënimin e tij për vrasje.
Ai ngriti gjithashtu dyshime se dhe denoncues të tjerë që gjendeshin në burg me shtetasin A.R. kishin të njëjtin “steriotip” të akuzave ndaj tij. “Po të shihet janë në sinkron me ankesat e tyre”, tha ai dhe i cilësoi denoncimet subjektive dhe të pabazuara. Mërkuri theksoi se bashkëshortja nuk kishte asnjë nip në Shqipëri dhe aq më tepër të ishte trafikant.
Në përfundim, prokurori Lorenc Mërkuri kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 22 shtator, ora 14:00.