Arkiva Shqiptare kujton Mirash Ivanajn, ish-ministrin e njohur të Arsimit në kohën e Zogut, njëherësh një personalitet i kulturës dhe arsimit shqiptar. Por për shkak të tij, reformave që ndërmorri, Shqipëria e asaj kohe, ose më saktë ai si përfaqësues i saj për arsimin, u çua në Hagë nga Minoriteti, ku shkak ishte mbyllja e të gjitha shkollave fetare, përfshi pra dhe ato orthodokse në Jug.
“Si sot, më 22 shtator 1953, ndërroi jetë juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj.
U lind në Podgoricë. Studimet i kreu në Itali nga ku kthehet në Shqipëri me dy doktorata të kryera, një në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letersisë.
Kur kthehet në Shqipëri përfshihet në fushën arsimore dhe të publicistikës. Rreth vitit 1932 ai bëhet pjesë e politikës dhe jetës parlamentare, ku kryesisht merret me çështjet e arsimit.
Projektligji i 11 prillit 1933 do të quhej si ‘Reforma ‘Ivanaj’ dhe do të sulmohej jo vetëm në shtypin e kohës por edhe në arenën ndërkombëtare ku do të bëhej subjekt gjykimi i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, pasi reforma solli mbylljen e të gjitha shkollave fetare në vend.
Pushtimi italian do të sillte largimin e tij nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme dhe rikthimin e tij në 1945 pas garancisë së qeverisë së re se karshi tij nuk ka proces gjyqësor të hapur. Emri i tij si pjesë e listës intelektuale do të përfshihej shumë shpejt në listat e sigurimit të kohës nga ku ‘Profesori’ do të arrestohej më 15 maj 1947.
U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit ai humbi jetën në burg”, thuhet në profilin e tij përgatitur dhe publikuar nga Arkiva Shqiptare. /sarandacity.al/