Gjithë udhëtimi politik i Ahmet Zogut, gjendet në këtë profil të shkruar në “Journal de Charleroi” me 25 dhjetor 1928.
Duke nisur që prej rrënjëve familjare, mësimet e fëmijërisë, shkollimi në Turqi, betejat e para ku ai spikat në vitin 1914, e më tej vit pas viti, në ngjitje derisa në 1924, kur bëhet president shtron më kujdes rrugën drejt sundimit të plotë si mbret i shqiptarëve.
Ky profil, i përkthyer nga frëngjishtja në shqip nga R. Bega, ruhet në AQSH, mes shumë dokumenteve dhe fotove të mbretit Zog.
Edhe pse në vitin 1928 ai nuk i kishte treguar të gjithë aftësitë apo tiparet e karakterit të tij, në këtë profil ai portretizohet në detaje, duke gërshetuar informacionin politik me atë intim e familjar.
Më poshtë e sjellim të plotë këtë profil që e kanë titulluar : “Të famshmit e ditës Ahmed Zogu”.
Nga “Journal de Charleroi”, me d.25-12-28.
Me gjith qi në shum pika sovrani shqiptar i gjet të famshmit Haxhi Stavros, mbret i maleve, mbi të cilin ka pas shkrue Edmond Abot-i, përkrahësimi duhet ba vetëm në pikpamjën poetike. Ahmet Zogu, bima e nji fisi kreshnik qi ka dhanë pasha të shumta Turqis, asht prej Mati. Nji nga prindët e tij ka qenë edhe vezir, kurse e ama vjen nga fisi Toptan i cili ka sundue për shum vjet qytetin e Tiranës.
Duket se Xhemal Pasha, i ati, nuk kish mjete të shumta materjale mbassi Ahmedi i ri, deri në moshën 13 vjetshe, jetoj në mes të bishave t’egra të maleve ku mësoj me hyp atit e me gjuejt dhe u ba nji trim shqiptar i pa shok. Mirë po me gjith se, për ata qi jetojnë nëpër male, nevoja e këndimit e i shkrimit kalon në radhën e dytë, prindët e Ahmedit dijshin se mësimi nuk asht nji send i damshëm. Kështu Ahmeti u dërgue në Turqië ku mësoj ma parë në shkollën ushtarake të Monastrit për tre vjet rresht mandej në lyceun “Gallata Saraj” të Stambollit. Mësimet e tij ishin të shkurta por dhanë pemë të mira. Mbassi mësoj mirë orthografin kaq të vështirshëm turqisht i hyni me zell edhe matematikës tue frekantue njerëzit ma të famshëm qi kishin nji kulturë oksidentale. Këta specialista i treguen rregulla qi duken të çuditshme në mësimet elementare: Ndërsa, për shembull, mbledhja bahej vetëm tue bashkue sende të nji loji, shqiptari i ri kuptoj se pjesë të ndryshme paresh mund të mblidhen lehtësisht.
Mbas mbarimit të këtyne mësimeve të shkëlqyeme djaloshi i ri u këthye rrishtas në stanin e Burgajetit, n’at kand të humbun ku, si mbas nji proverbi shqiptar, mund të qasen vetëm shqiptarët, dhit dhe ushtarët sërb. Me të vërtet duket se këta të fundit pritshin nji këthim të këtillë për me veprue si mbas zakonit të tyne… Edhe ata stane pra si dhe kolibat e barakat qi formojnë katundin e Burgajetit i muer zjarmi! Në shpirtin e Ahmetit, i cili u dishpërue deri në pikën e fundit, u ngjall nji mëni e madhe kundra sërbëve, autorëvet të kësaj barbarije ballkanike. Ky asht shkaku pse, në 1914, Zogu i ri hyni në luftë si kolonel përkrahazi me austrijakët.
Lufta e madhe kje për te nji shkollë diplomasije. Me gjith qi Ahmeti ish armik i madh i sërbijanve, kurgja nuk e ndaloj nji fillim marëveshtjesh me aleatët. Kështu qi Shtati Madhnuer i Austris, në dyshime të shumta, preferoj me dërgue në Vjenë me misjon në vend me e mbajt në sherbim të vet kët oficer, ndonse tepër i zoti.
Ky ndryshim kje nji rast për Ahmet Zogun për me plotsue edukacjonin e vet artistokratike tue frekantue vendet si “Cafe de l’Opera” e “Taverne Sacher” ku shkojnë klasat shoqnore ma të njohtuna të Vjenës. Atje, në nji kohë tepër të shkurtë bukurinat vjeneze (flitet mbi zoja dhe zojusha filluen me ndjekë me kujdes të madh sjelljen e pëlqyeshme të personazhit t’ardhshëm dhe me u interesuem shum për tê. Arsyeja nuk ka nevojë të spjegohet gjatazi: Ahmeti, përveç nji shtati të gjatë, nji kreje të naltë e do syve të zi, ish edhe bijar dhe prishte si nji mbret – njeri i madh i ardhshëm kish mësue me mbajtë situatën e vet edhe me huana në rast nevoje.
Në mbarim të luftës anarshija ma e madhe mbretnonte në Shqipni. Froni qi kish mbetë i zbrazët mbas largimit të Princ Widit i pëlqente fort Esat Pashës, kumandantit të Shkodrës, qi ka pas habitë botën me mjeshtërin e madhe me të cillën dijti me rregullue, në luftën ballkanike, situatën e Shkodrës. Ahmeti, pra, muer pjesë në Qeveri me nji herë si Kumandant i Pergj. i Gjindarmeris e si Ministër i P. të Mbrendshme – Në Shqipni këto dy dega kanë të bajnë shum njana me tjetrën.
Partija feodale, ose e bejlerëve, kish nevojë për nji kryetar; Ahmet Zogu zuni kët vend me nji herë. Por fillimi nuk kje i lehtë, si në çdo punë… Nji kryengritje – qi nuk ish e para – plasi në maj 1924 dhe bejlerët u përzuen prej nji partizani të çuditshëm, Fan Noli, hamall mandej paliaço e ma në fund rogtar në nji cirkus, i cili ish arrijt në nji shkallë sa të bahet edhe Ipeshkvë në Shkodër. Ngjarja ish tepër serioze: ushtrija ish përnda dhe kasa s’kish aspak të holla… Ish-Ministri i P. të Mbrendshme vendosi me lanë më nji anë mënin qi kishte kundra sërbëve. I riu e i pamshmi Zog, pra, u detyrue të tërhiqet me nji ushtri të vogël në Sërbi prej kah, në nji kohë të shkurtë, u kthye dhe e përzevi krymbin e tiranis, Fan Nolin. Me ketë mënyrë, në dhetuer 1924 u zgjodh Kryetar Republike për 7 vjet.
Presidenti i ri, tye pa mbasandej se ndihma e sërbjnave nuk ish gja e nevojshme për vendin e vet, vendosi me kërkue nji rrugë tjetër sidomos kur sërbët filluen të vërtetojnë se kanë qenë dhe janë anmiqt e përhershëm të shqiptarvet. Nji ndjenjë patriotike, pra, e shtyni me u mbajt pak ma larg prej tyne e me nënqeshë për kah populli i madh italian. Italija n’anë tjetër, tepër e knaqun, i dërgoj nji kujtim prej 3000 copë armësh dhe i dhuroj nji kredit prej 15 miljona liretash – nji kredit epet ashtu si duhet ose nuk epet aspak.
Tani pse mos me themelue nji dinasti? Ahmeti, i cili din me veprue ma me rregull se kush në botë, mblodh nji asamble konstituente dhe u proklamue mbret. Në fillim flitej mbi emnin Skenderbeg II, si në kujtim të herojit të XV shekull. Mirë po dy trashëgimtarë, nji ispanjoll e nji italjan, duelën me nji herë në shesh. U desht me preferue pra titullin ZOG I, titull mjaft me vend.
Në ditën e soçme nuk mbetet tjetër veçse me sigurue trashigimin. Asht e vërtetë se Ahmeti ka qenë fejue me nji vajzë shqiptare, por puna ka zgjatë aq sa sot nuk dlitet ma për tê. Po lypset me mendue tjetër kund e fjala asht përhapë në Shqipni si dhe n’Italië për nji princeshë italjane, por Ahmeti asht muhamedan.
Mbretnija nuk asht nji “zanat” i kollajshëm. Ahmet Zogu, shtypësi i 23 kryengritjeve, ka nevojë për nji sigurim të madh. Për kët arsye pallati, nji shtëpi tre katshe, asht e mbushun dit e nat me ushtarë. Kur Monarku i ri del përjashta automobili lypset rrethue me 15 vehikyle tjera të mbushun me gjindarmë t’armatosun. Për nji udhtim të gjatë si Tiranë Durrës edhe ushtrija duhet shti në punë.
Ahmeti asht nji njeri qi nuk gjindet tepër shpesh; “vendi i em ka thanë vet, ka mbetë shum mbrapa dhe jeton sikur përpara tre shekujve, duhet me sundue pra ashtu si sundoheshin vendet tjera të botës n’ato kohna”. Vetëm nji Napoleon kish me muejt me i shtrue shqiptarët. Zogu i ri i a ka nxanë vendin me të tanë kuptimin e fjalës. Prestizhin e vet ka dijtë me e mbajtë dhe sala e kunorës e stolisun prej artistash t’ardhun prej Parisi asht pregatitë tash nji vjet. Meublat si dhe froni kanë dalë nga magazja “Bucheron” e Parisit, dhe hallit vijnë nga “Place Clychy” prej andej.
Gjith ashtu si Napoleoni Zogu i mendon edhe te familja e vet. Të tri motrat i çoj në Vjenë. Atje zojushat shqiptare, qi kishin dhurue 1000 shilinga kontrolerit të trenit, blenë gjith ç’gjetën përpara dhe, në “Bristol”, mësuen edhe sharlestonin. Nji udhtim të këtillë bani edhe Zoja Saide, e ama e Mbretit, në Paris dhe kur interpreti foli mbi prishjet e tepërta përgjigjeja e zojës ishte kjo: “ekonomi? Asht nji pikë qi përket Zitës së Habsburgve”. /sarandacity.al/