Gruaja e moshuar e cila u gjet e pajetë në Himarë, trupi i së cilës është sjellë në morgun e Spitalit të Sarandës, raportohet të jetë nëna e ish-peshëngritësit të njohur Piro Dhima.
“Më datë 30.09.2021, në Himarë, është gjetur e vdekur pa shenja dhune, shtetasja L. Dh., 75 vjeçe, dyshohet vdekje natyrale, si pasojë e arrestit kardiak. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme,” thuhet në njoftimin policor.
Pra, me gjasë ajo jetonte e vetme, pasi bëhet fjalë për një vdekje të ndodhur ditë më parë.
Pirro Dhima, kampion bote me Greqinë, ishte ndër ata sportistë të shquar shqiptarë që, falë origjinës greke, kaluan në fqinjin jugor në ndërrim të sistemeve politike në Shqipëri, duke zgjedhur të mbrojnë të tjera ngjyra në garat sportive, më saktë ato greke.
Ai e konsideronte veten grek, nganjëherë dhe me tendenca jo fort dashamirëse për vendin ku kish lindur, Shqipërinë.
Ndërkohë, ky është rasti të kujtohet se në pjesën grekofone të Jugut, ose ndryshe Minoritet, vdekjet në vetmi të moshave të treta janë bërë një fenomen i zakonshëm. Kjo, për shkak të ikjes së fëmijëve në Greqi e mbetjes së prindërve aty ku kanë patur shtëpi e katandi. /sarandacity.al/