Në historiografinë ushtarake italiane, rasti tragjik i divizionit “Peruggia” përmendet si një ndër shembujt më të dhimbshëm të shfarosjes së një grupimi të organizuar ushtarak pas firmosjes së kapitullimit të Italisë fashiste më 3 shtator 1943, shkruan në një shkrim special mbi këtë ngjarje, gazetari nga Saranda Alqi Koçiko.
Në vitin 2016, në gazetën DITA, ai do t’i kushtonte një shkrim të zgjeruar kësaj ngjarjeje të luftës, e cila përkujtohet çdo fillimtetori në Sarandë, pikërisht në Limjon, aty ku ndodhi dhe vrasja në masë e dhjetra ushtarave italianë.
Odiseja e “Peruggia-s” që zë fill me ngjarjen e Grehotit: (kazermat italiane pranë Gjirokastrës), shkruan Koçiko.
Më tej, ai shpjegon:
Divizioni “Peruggia”, pjesë e korparmatës IV të ushtrisë italiane, kishte zbritur nga Mali i Zi në muajt korrik-gusht 1943 për t’u dislokuar me komandë në Grehot të Gjirokastrës, duke zëvendësuar divizionin “Firenze” me detyrë kontrollin e linjave Gjirokastër-Porto Edda (Sarandë)-Tepelenë-Këlcyrë. Siç dihet, firma e daljes nga lufta e marshallit Badoglio me forcat aleate më 3 shtator 1943, që zyrtarizoi kapitullimin e qeverisë fashiste, u anonçua për trupat italiane jashtë vendit më 8 shtator dhe ky lajm nuk mbërriti kudo. Ndaj dhe lajmin e daljes nga lufta (Massimo Coltrinari, La resistenza dei militari italiani all’estero), më shpejt e morën vesh rastësisht nga radioja ushtarët italianë, sesa komandanti i divizionit, gjenerali Chiminello. Në kaosin që lëkundej mes gëzimit për kthimin në shtëpi dhe pikëpyetjes sesi duhej vepruar, komanda italiane kontaktohet si nga krerët partizanë shqiptarë të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër (ku ndër negociatorët kryesorë ishte edhe majori anglez i atashuar pranë tyre, Tillmann), edhe nga Balli Kombëtar, që u kujtua se ky ishte rasti për marrjen e armëve dhe logjistikës së bollshme në këmbim të sigurisë për kthimin e trupave në atdhe. Pa harruar se po ato ditë, kishte mbërritur edhe një oficer gjerman që parashtroi po ato kërkesa. Këtu zë fill mpleksja e situatave mes pavendosmërisë italiane në pritje të kotë të urdhrave eprore, presioni i ballistëve dhe partizanëve, shthurja e disiplinës mes oficerëve dhe ushtarëve italianë dhe keqkuptimeve që sollën të ashtuquajturën “luftë të Grehotit”.
Ndërsa, atë që ndodhi në Limjon, gazetari Koçiko e përshkruan kështu:
Mëngjesin e 22 shtatorit 1943, divizioni “Peruggia” mbërrin në Sarandë, plot shpresa për imbarkim. Por një ditë më pas, nga thellësitë e Kurveleshit zbresin në qytet rreth 1500 ushtarë të gjendje të mjeruar, të çarmatosur e të grabitur nga të gjitha palët. Gjithsesi, më në fund u arrit kontakti me shefin e shtabit të ushtrisë italiane nga Brindizi, gjeneralin Ambrosio dhe një trupë prej 1500 vetësh u arrit të transportohet. Shfaqet sërish në Sarandë i kudondodhuri Tillmann, që edhe njëherë i kërkon Chiminellos dorëzimin e armëve për llogari të partizanëve. Po atë ditë (më 26 shtator) një zbarkim gjerman prej 30 vetësh eliminohet apo zihet rob nga italianët e partizanët shqiptarë, por Korfuzi kishte rënë dhe Ambrosio dërgon pasdite këtë mesazh: “Korfuzi ra. E pamundur tërheqja e trupave nga Porto Edda. Transferohuni në Porto Palermo ku do mundësojmë transportin tuaj…”.
Orët e para të 27 shtatorit, të drejtuar nga koloneli Lanza ushtarët e lemerisur formojnë kolonën për t’u nisur drejt Porto Palermos. Por kolona nuk nisej: Partizanët shqiptarë kërkonin me ngulm armët sipas marrëveshjes se Delvinës. Më në fund, pas dorëzimit të shumicës së artilerisë, armëve e pajisjeve, italianët arrijnë me shpejtësi rrufe në Porto Palermo: 55 kilometra marshim brenda një nate. Por ky do të ishte fundi. Gjenerali Chiminello dhe stafi i tij mbetën në Sarandë, ndërsa ushtarët që u mblodhën në Porto Palermo dhe në rrethinat e Borshit (Coltrinari i vlerëson në rreth tetë mijë vetë) pritën më kot. Gjermanët kishin hyrë më të fund në Sarandë dhe nisën operacionin e titulluar “Spaghetti”, të eliminimit të divizionit “Peruggia”.
Më 2 tetor Chiminello vendos të dorëzohet bashkë me stafin e tij, ndërsa koloneli Lanza tërheq ushtarët e tij drejt maleve të Kuçit me shpresë se nuk do të arrihet nga gjermanët. Operacioni “Spaghetti” drejtohet në terren nga grupi më i sofistikuar, batalioni I i regjimentit 99 malor gjerman, i drejtuar nga majori Dodel. Disa raporte gjermane flasin për numra italianësh robër që variojnë nga 3000 në 4 mijë e ca vetë, që ekzekutohen më pas grupe-grupe ndërsa një pjesë tjetër mbahen si punëtorë hamallëqesh nga nazistët. Disa të dhëna mbi oficerët i jep Massimo Coltrinari: Gjenerali Chiminello dhe ndihmësi i tij major Bernandelli, ekzekutohen pasditen e 4 tetorit.
Në Limjon të Sarandës, më 5 tetor 1943, ekzekutohen rreth 150 oficerë të “Peruggia-s”, trupat e të cilëve hidhen në det. Më 7 tetor, pushkatohen në vend 33 oficerë të kolonelit Lanza të kapur në malet e Kuçit. Më pas, mijëra të tjerë çohen në Bitolje (Manastir) e që andej në kampet gjermane të përqendrimit. Përfundimisht kjo ngjarje në histori, qoftë nga këndvështrimet e Ballit Kombëtar, partizanëve, gjermanëve, italianëve dhe anglezëve, ka një të vërtetë: shtabi italian ka qenë i përçarë pro partizanëve, pro ballistëve dhe pro gjermanëve. Ajo që është anashkaluar është roli qendror i anglezit Thilmann, ndërsa si përfundim, me keqardhje duhet nënvizuar se shpëtimtari i munguar i situatës do të ishte gjenerali fatkeq Ernesto Chiminello, i cili nëse do të kishte marrë vendime të shpejta ato ditë të çmuara, siç shkruan Massimo Coltrinari,“ndoshta do ta kishte sjellë gjithë divizionin e vet shëndoshë e mirë në atdhe”. /sarandacity.al/