Arkiva Shqiptare kujton ditëlindjen e një prej emrave më të mëdhenj të dalë nga Delvina, pikërisht Sulejman Delvina, ai që sipas një versioni zyrtar, ka qenë i pari kryeministër shqiptar, dalë nga Kongresi i Lushnjës.
I takoi të qeveriste në ato kohëra të trazuara kur më mirë të mos e kesh atë barrë. Megjithatë, mungojnë ende sot analizat nëse ishte apo jo personi i duhur nmë kohën më të paduhur.
“150 vjet më parë, më 5 tetor të vitit 1871, lindi në Delvinë, Sulejman Delvina.
Patriot, mësues, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas studimet e larta në Stamboll. Mbajti disa poste të rëndësishme brenda administratës osmane deri në vitin 1911 ku kundërshtoi hapur politikën xhonturke dhe politikën ekspasioniste të vendeve fqinje kundrejt territoreve shqiptare.
U zgjodh një nga përfaqësuesit e kolonisë së Stambollit në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Pas Kongresit të Lushnjës u emërua kryeministër i qeverisë ku u përball me probleme të shumta ku më të mprehtat ishin çështjet e kufijve dhe çështja e Vlorës ku dha një mbështetje të madhe si dhe firmosi protokollin italo-shqiptar për zbrazjen e Vlorës dhe rrethinave të saj nga italianët.
Mbështeti Lëvizjen e Qershorit dhe u caktua në krye të Ministrisë së Jashtme në Qeverinë Noli.
Pas dështimit të Lëvizjes largohet nga vendi për t’u rikthyer më 1928. U nda nga jeta më 1 gusht 1933, në Vlorë”, thuhet nga Arkiva Shqiptare.
Kujtojmë se në Delvinë ndodhet një bust i tij, si dhe një shesh me emrin e tij. S’do kishte qenë e tepruar që, në konteskt të interesit turistik, të kish dhe një muze të tij. /sarandacity.al/