Bashkia Sarandë është ndjerë e indinjuar që, një dorë e mendje e papërgjegjshme ka shtrembëruar, vështirë e kuptueshme se përse, tabelën e kontributorit financiar të një parku të ri shplodhës në afërsi të stadiumit.
“Me keqardhje konstatojmë se në Parkun e ri Publik, të përuruar ditë më parë në Lagjen Kodër të Sarandës, është vënë dorë duke cënuar imazhin dhe mundësitë që ai Park ofron për çlodhje dhe argëtim të qytetarëve e sidomos të fëmijëve.
Ndërsa qeverisja vendore iu përgjigj kërkesës së banorëve për ta vënë atë hapësirë në shërbim të komunitetit, duke gjetur donatorin dhe realizuar urbanizimin e saj, është për të ardhur keq që qytetarë të veçantë i lejojnë vetes dëmtimin e kësaj pasurie të përbashkët.
Ky apel qytetar u dejtohet në radhë të parë atyre, që të ndalin dorën e shkatërrimit, por edhe të gjithë të tjerëve, për të qenë ndalës të asaj dore, apo denoncues për këdo që vepron kundër interesave komunitare”, shkruan Bashkia në reagimin e saj.
Kujtojmë se ditë më parë u bë dhe inagurimi i parkut, edhe pse ishte bërë funksional që në pranverë. /sarandacity.al/