Veteranët e Sarandës por dhe komuniteti qytetar sarandiot humbi së fundi një ndër figurat më simpatike të moshës së tretë, Spiro Gjiçalin, i njohur si njeri aktiv, komunikues dhe plot kapacitet.
Por është e nevojshme të dihet një detaj interesant i tij: çuarja e një amaneti në vend, si drejtues i shoqatës së invalidëve të luftës. Ai vetë nuk qe aspak invalid, por me pasion të pashuar e drejtoi shoqatën në fjalë edhe pse ajo kishte shkuar drejt zhbërjes, jo nga mungesa e angazhimit por nga fakti se invalidët e luftës ishin larguar dalëngadalë nga jeta pothuajse të gjithë.
Dhe, pasioni me të cilin i ndjeri Spiro Gjiçali vijonte ta drejtonte shoqatën kishte të bënte me një amanet të lënë nga xhaxhai i tij, pikërisht ai një invalid lufte, që mos e linte shoqatën pa drejtim. Kështu dhe ai e kreu amanetin deri në frymën e fundit.
Në Sarandë, siç kujtojnë nga shoqata e veteranëve lokalë, i fundit invalid lufte qe në Dhivër, për shkak të të cilit, ikjes së tij nga kjo botë, i ndjeri Spiro kishte qenë në këtë fshat së bashku me kolegë veteranë nga Saranda. /sarandacity.al/