Njihet antipatia e Artan Lames ndaj Zogut. Pak vite më parë, kur të birit iu kthyen ca prona në Tiranë, siç ish-Pallati i Pionerëve, Lame qe ndër kundërshtarët e flaktë të këtij akti të shtetit shqiptar.
Dhe siç duket, rrënjët e kësaj kundërshtie janë gjetiu, te fakti se Zogu solli kob në familjen e vëllait të stërgjyshit të Lames, Sabri Qyteza.
Ky telegram i vitit 1933, drejtuar mbretit Zog prej bashkëshortes së Sabri Qytezës, zbulon një prej stacioneve të vështira të jetës së tij, pas arrestimit dhe burgosjes me akuzën e përfshirjes në lëvizjen e fshehtë të Vlorës së bashku me një varg patriotësh të tjerë.
Përgjigja e mbretit Zog ndaj lëvizjes së fshehtë të Vlorës e më tej edhe e Lëvizjes së Fierit në 1935, ishte e ashpër e shumë prej drejtuesve të tyre u dënuan me burgime të gjata.
Sabri Qyteza ishte një kundërshtar i hershëm i mbretit Zog, i pozicionuar qartë edhe në Lëvizjen e Qershorit 1924.
Burgosja e tij, sic zbulohet në këtë telegram kishte shkaktuar në familjen e Sabri Qytezës ankth e dëshpërim.
Bashkëshortja e tij Safie i shkruan drejtpërdrejt mbretit Zog dhe i lutet për mëshirë, duke i kujtuar se ai ka lënë në shtëpi një vajzë të vogël dhe se se dy prindërit e tij nuk e përballuan dot dhimbjen e shkaktuar nga dënimi i të birit.
Siç shkruan Safia, babai i Sabri Qytezës, Aliu kishte vdekur prej dhimbjes pas 6 muajsh vaji të përditshëm për të birin e burgosur, ndërsa nëna e tij ishte tretuar e gati verbuar duke qarë çdo ditë të birin.
Ja telegrami i plotë i Safie Qytezës drejtuar mbretit Zog në prill të vitit 1933:
Naltmadhnisë Zogu I, Mbret i Shqiptarëve
Augusti sovran po të denjoje të shtjerë syrin mëshiruës mbi bindjen e formueme në opinionin publik që bashkëshorti im Sabri qyteza ra viktimë e çpifjevet Çekrezit kur ish anormal, plagët e mija dhe të vajzës vogël mjerueme shërohen më faljen e tij individualisht stop me këtë falje do të pushojnë dhe lotët e mëmës shumë plakë të tij e cila po verbohet dhe po vdes e zhuritur sikundër pak ditë më parë vdiq buri i saj me zemrën të djegur tue qarë gjashtë muaj ditë e natë për Sabrinë.
Shërbëtorja Safie S. Qyteza
Po kush ishte Sabri Qyteza?
Ai lindi në Korçë, në vitin 1882. Shkollën e mesme e mbaroi në Manastir. Studimet e Larta për Drejtësi i kreu në Stamboll. Ai ishte anëtar i Këshillit të Klubit të Stambollit.
Sabri Qyteza është njëri nga aktorët e dramës “Besa” të Sami Frashërit, e shfaqur në Stamboll, në vitin 1908.
Më 1912, u zgjodh deputet i Sanxhakut të Korçës në parlamentin osman.
Në vitin 1913, burgoset në Stamboll e më pas dëbohet nga Turqia. Vjen në Vlorë dhe punon si prokuror i shtetit shqiptar.
Me ardhjen e Vidit, vihet në shërbim të shtetit me armë në dorë në luftë kundër rebelëve dhe Esad pashës.
Me rënien e princ Vidit, emigron në Zvicër, Rumani dhe Turqi duke mos e ndërprerë aktivitetin për çështjen kombëtare.
Gjatë viteve ‘30 punon si avokat në qytetin e Korçës. Në vitin 1942 është deputet i parlamentit shqiptar.
Vdiq në Korçë, në vitin 1947. /sarandacity.al/