Rinis sot viti i ri akademik, ku studentët rikthehen sërish në auditorë pas më shumë se 18 muajsh mësimi online për shkak të pandemisë COVID.
Ashtu edhe si në çdo institucione të tjera, edhe për studentët do të ketë rregulla për t’u ulur në banka dhe mendohet se ato janë dhe më të ashpra krahasuar me shumë të tjerë.
Kështu, edhe sipas udhëzimit të qeverisë, studentët duhet të kenë marrë të dyja dozat e vaksinës për të ndjekur mësimet në auditorë.
Gjithashtu, një alternativë tjetër për studentët është dhe të paraqesin testin negativ PCR një herë në javë, ose vërtetimin që e kanë kaluar COVID-in.
Numri i studentëve të vaksinuar është relativisht i ulët. Nga shifrat kontradiktore të dhëna nga burime të ndryshme, mësohet se në kryeqytet janë vaksinuar afro 20% e studentëve, ndërsa në fakultetet e rretheve përqindja është shumë herë më e ulët.
Më së shumti, studentët kanë preferuar vaksinat e njohura nga Bashkimi Europian. Paralelisht me ndërgjegjësimin e studentëve nga stafet pedagogjike, pranë fakulteteve kanë nisur edhe diskutimet me mjekët për çdo informacion shtesë që do të duan studentët e pabindur ende për të bërë vaksinën. /sarandacity.al/