Mbylli sytë këtë të hënë Liri Lubonja, një ndër gratë e rrallë që shoqëria shqiptare s’mundi ta njohë në të gjithë dimensionin e saj, pasi ajo u qëndroi larg mediave.
Por mjafton të lexosh librin e saj memuaristik “Larg dhe mes njerëzve” për të kuptuar se ç’kapacitet kulturor ishte e ëma e Fatos Lubonjës, e cila kaloi vite të vështira nën persekutimin komunist, pasi burrin, Todin dhe të birin, Fatosin, ia burgosi regjimi për vite me radhë. Ajo u degdis në internim, në Lezhë, së bashku me të birin, Agimin, të shoqen e Fatosit, Zanën, dhe dy vajzat e vogla të tyre, Anën dhe Tetisin.
Në rrëfimet e saj, veçohet një episod nga më të rrallët e një lloji të veçantë të armiqësisë ndaj tyre, e cila preku dhe vajzat e mitura të Fatosit. Fjala është për një drejtoreshë kopshti, ku ato shkonin, e cila dyshohej se u injektonte të bijave të armikut morra në kokë.
“Një natë më parë Zana, me porosi të kujdestares, ishte marrë mëse një orë me pastrimin e kokës së Anës. Një gjendje tensioni, nervozizmi dhe pështirosjeje na kishte pushtuar, ndaj dhe iu shkarkuam Gimit që na kërkonte ta shikonte një nga ata parazitët të panjohur për të.
Të nesërmen zbrita unë me Anën. Ishte ditë e ftohtë shkurti. Nxitoja se duhet të shkoja në magazinën e Shëngjinit. Në hyrje të çerdhes priste drejtoresha e ngarkuar sa s’vete me autoritet dhe seriozitet. Shpupuriti kokën e Anës e me një tërsëllim të madh më tha: ‘Nuk e pranoj, është e papastër!’.
I tregova se si e kisha punën, por me arrogancë m’u përgjigj sa asaj nuk i duhej dhe mbylli derën. U nisa drejt stacionit dhe në autobus, dukeshtrënguar fort Anën që qante duke përsëritur ‘Nuk ka Ana mola’, për herë të parë, mbas gjithë atyre që na kishin ndodhur, lotova. Ajo mungesë ndjeshmërie ndaj Anës më kishte prekur thellë.
Nuk e menduam se ky ishte fillimi i “betejës” me drejtoreshën. E keqjan u rrit kur dërguam dhe Tetin atje. Kontrolli i kokës u kthye në detyrë çdo mbrëmje. Të gjorat ato!
Asnjë vërejtje nuk pranohej në çerdhe, përkundrazi, burimi i gjithë të këqijave ishim ne. ‘Ku e di unë kush jua lante ju kokën në Tiranë’, i tha drejtoresha Zanës kur ajo i foli për flokët e saj që i kishte mbajtur vazhdimisht të gjatë”. /sarandacity.al/