Një debat qytetar që ka përfshirë këto ditë Sarandën, nëse te shëtitorja e re duhet të mbillen pisha apo palma, po ndodh dhe Delvinë. Më shumë se debat është ankesë, për faktin se dhjetra pemë dafine dhe ligustre në disa prej rrugëve të qytetit, u shkulën për t’u zëvëndësuar me blirë.
Këtij të fundit nuk i vihet në dyshim vlera, sidomos aroma dehëse në çelje, në muajt qershor dhe korrik, por ndoshta reagimi i një pjesë të qytetarëve të Delvinës është dhe dhe thjesht psikologjik, duke qenë të mësuar me dekorin e atyre që tashmë janë shkulur, gjë që ka shëmtuar disa pamjen e rrugëve ku ka ndodhur ky operacion, ndonëse përkohësisht.
Por çfarë të thonë në Bashkinë e Delvinës për kërë zëvëndësim?
Zyrtarë të linjës së shërbimeve aty, të thonë se vendimi ka ardhur nga një grup specialistësh fushë të krijuar enkas për këtë qëllim.
Siç kanë gjykuar këta të fundit, ligustrat dhe dafinat po “vuanin” nën një sëmundje qën po i çonte drejt degradimit, me pothuajse asnjë shans për t’u rehabilituar.
Ndaj dhe u vendos heqja e tyre dhe zëvëndësimi me bli. Po pse pikërisht bli? Sepse bliri, siç thonë ata, mbron nga alergjitë dhe nuk i provokon ato. Të tjerat më pas, aspekti dekorativ i tyre, është më i avancuar se ligustrave dhe dafinave.
Kujtojmë se bliri është mbizotërues në rrugët e shumë qyteteve në Shqipëri. /sarandacity.al/