Sot, 25 tetori, njihej në kalendarin shqiptar, atij të ish-regjimit komunist, si “Dita e Elektrifikimit”. Ndodhi kjo më 1972-shin, ku parrulla sfiduese ideologjike qe: “Drita e Partisë që tmerroi armiqtë”.
Po atë vit, në Festivalin e Këngës do këndohej kënga e famshme me vargjet:
Doli hëna prapa malit, që t’i bëjë ditë fshatit
Thotë hëna ç’duhem unë, fshati paska drota shumë.
Hënë o hënë e bukur o, pse qenke mërzitur o…
Hënë e netëve të vona, se ç’të mundën dritat tona.
Nga viti 1936, kur u ndërtua hidrocentrali i parë në vend në Vithkuq, që tanimë nuk është funksional, e deri në fund të 2020, në Shqipëri sipas ERE kanë prodhuar energji 216 centrale private, shkruan Shqiptarja.com, që shton se pavarësisht numrit të madh të hidrocentraleve, 80% të prodhimit në vend e sigurojnë HEC-et e ndërtuara mbi lumin Drin, Vau i Dejës, Fierzë dhe Koman.
Ndërsa sa i përket krizës, Lorenc Gordani, ekspert energjie, thotë se “Shqipëria nuk duhet të kishte varësi kaq të madhe nga tregjet e huaja, ku 40% e energjisë për konsum merret nga importi, kjo është për të ardhur keq duke pasur parasysh të gjitha burimet hidrike që ne kemi, klimën e përshtatshme për të krijuar panele fotovoltaike”. /sarandacity.al/