Kur ne flasim për tolerancë fetare, a ma saktë bashkëjetesë fetare si model unik, referimin nuk e bëjmë te mungesa e konflikteve por më së shumti dhe te fakti që urojmë njëri-tjetrin në raste festash respektive. Kjo ndodh dhe në nivel zyrtar dhe sidomos në nivel zyrtar. Por diçka e tillë nuk shfaqet në rastet e bashkëjetesës entike.
Më konkretisht, dy ditë më parë, Minoriteti kremtoi festën kombëtare greke të “Jo”-së dhe, një bashkëjetesë e shëndetshme, e ushqyer shëndetshëm, do donte që drejt tij, përfaqësuesve zyrtarë, të kishte urime korteziale nga nivele zyrtare fqinje.
Vlen kjo dhe anasjelltas, në rastet e festave të shtetit shqiptar, ku në nivel lokal të përcilleshin përshëndetje korteziale, si pasqyrim bashkëjetese, ose si ushqyese bashkëjetese. Kjo e fundit nuk duhet të ekzistojë prej zorri. Ajo ekziston natyrshëm, porse çuditërisht i mungojnë disa akte të thjeshta por tejet kuptimplote.
Dhe nuk mbarron këtu. Dallohet më “sy të lirë” një veçim mes bashkive fqinje në të njëjtin pellg, katër të tilla, ku krerët apo përfaqësuesit e tyre gati kurrë s’shihen bashkë në ndonjë aktivitet apo kur diskutohen projekte. Siç mungojnë dhe ftesat e ndërsjellta për raste eventesh të ndryshme.
Është barrë ndoshta e dyshes së deputetëve Denaj – Kuri që ndreqin këtë handikap, politik dhe etnik bashkë.
Sepse ja, deputeti minoritar do e uronte Kurban Bajramin pak muaj më parë, bukur fort, por në këtë vazhdë nuk ka pse mos urojë as 28 apo 29 nëntorin e pritshëm. Kështu dhe anasjelltas. /sarandacity.al/