Në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë-Nartë, 4 prej bunkerëve jo-funksional të gjendur në këtë zonë janë shndërruar në atraksion turistik.
Në secilin prej këtyre bunkerëve janë gdhendur punime artistike që përfaqësojnë më së miri elementët natyror të zonës së mbrojtur ku gjenden, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë.
“Mjedisi nuk është pronë private, por përgjegjësi e përbashkët”, është mesazhi që jepet nga bashkimi i këtyre bunkerëve dhe elementëve që ato përfaqësojnë.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Vlorë sqaron se bunkeri i parë mban simbolin e flamingos dhe përfaqëson mëngjesin. Flamingot, të njohur me emrin shkencor Phoenicopterus roseus tashmë janë një vlerë e përhershme e lagunës sonë, ku rreth 3000 individë numërohen çdo vit. Ata gjenden si në afërsi të ishullit të Zvërnecit, në kriporen e Nartës dhe lagunën e Kallëngës.
Bunkeri i dytë mban simbolin e soditjes së natyrës nga dashamirësit e saj dhe përfaqëson ditën, ku me rritjen e rrezeve të diellit edhe bimët fillojnë të zhvillohen. Nëse keni dylbi ose një teleskop mjafton të afroheni në një prej kullave të vrojtimit dhe të vrojtoni një sërë speciesh të shpendëve ujorë dhe jo vetëm të cilët qëndrojnë qetësisht përgjatë zonave ujore.
Bunkeri i tretë mban simbolin e pelikanit kaçurrel dhe përfaqëson pasditen. Pelikani kaçurrel ose i njohur me emrin shkencor Pelicanus crispus, është një prej specieve më të veçanta në Shqipëri i cili edhe folezon në disa ekosisteme ligatinore në vendin tonë.
Në lagunën e Nartës, gjenden rreth 40 individë kryesisht që hasen në kriporen e Nartës dhe e përdorin këtë lagunë si një vend ushqimi.
Bunkeri i katërt mban simbolin e çakallit dhe kukuvajkës dhe përfaqëson natën.
Çakalli ose i njohur me emrin shkencor Canis aureus, është mjaft i përhapur në pyllin e Pishë-Poros dhe nëse do të rastisni gjatë orëve të vona të natës në këtë zonë do të dëgjoni zërin e tyre karakteristik. Edhe llojet e ndryshme të kukuvajkave si kukuvajka e zakonshme, kukuvajka mjekëroshe janë ndër llojet më të përhapur në këtë zonë. /atsh/