Bashkia Sarandë njofton mbi një Dëgjesë Publike këtë javë, e cila ka në fokus përzgjedhjen e disa prioriteteve sociale, të cilat do të diktohen nga Shoqëria Civile.
“Bashkia Sarandë, në kuadër të bashkëpunimit me Programin Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2), një iniciativë e financuar nga Bashkimi Europian (EU) dhe e zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), ka filluar procesin e përgatitjes së Thirrjes së Parë Publike për Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC-të).
Hapi i parë i këtij procesi është konsultimi me OSHC-të i tematikave që do të shërbejnë për të vendosur përparësitë e thirrjes. Për këtë qëllim, bazuar në dokumentët strategjikë ekzistues, Bashkia Sarandë ka përzgjedhur prioritetet më emergjente, të cilat kanë nevojë të konsultohen dhe validohen në bashkëpunim me Organizatat e Shoqërisë Civile.
Të gjitha OSHC-të e interesuara për t’u bërë pjesë këtij procesi, janë të ftuara të marrin pjesë në konsultimin publik në përzgjedhjen e përparësive që do të organizohet në datë 05 Nëntor 2021, ora 10:00 në ambjentin e Bashkisë, Salla e Këshillit Bashkiak”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Më pas vjen veçomi i rendit të ditës, ku në pikën e përparësive që do të diskutohen e përcaktohen, janë:
Shërbimet Sociale
-Ngritja e Shërbimit në shtëpi për të moshuar.
–Ngritja e Shërbimit në shtëpi për persona PAK (mbi 18 vjeç).
-Ndërgjegjësimi dhe asistimi i viktimave të dhunës në familje duke përfshirë edhe shërbimin në qendrën e emergjencës 72 orë pranë Bashkisë.
-Nxitja e iniciativës së lirë dhe vetpunësimit për gratë kryefamiljare, vajzat dhe viktimat e dhunës në familje.
-Ndërgjegjësim i fëmijëvë që ndjekin arsimin bazë dhe atë të mesëm lidhur me dhunën në familje, barazinë gjinore dhe luftën kundër fenomenit të bullizimit.
Turizmi dhe kultura
-Nxitja e turizmit kulturor, historik, arkeologjik, nëpërmjet promovimit të traditës kulturore dhe siteve arkeologjike.
–Nxitjen dhe promovimin e kulturës kulinare nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, duke respektuar diversitetin kulturor (kombinim i traditës kulinare me kostumografinë).
–Promovimi i prodhimeve artizanale vendase dhe përcjellja e njohurive tek brezi i ri.
–Agroturizmi si risi dhe promovimi i prodhimeve bujqësore dhe shtazore lokale.
Mjedisi
-Ndërgjegjësimi nëpërmjet veprimeve konkrete për ndarjen e mbetjeve në burim në institucionet publike dhe private.
–Ndërgjegjësimi i qytetarëve lidhur më sjelljen ndaj kafshëve si piknisje për hospitalizimin e qenve të rrugës. /sarandacity.al/