Kur deputeti Alket Hyseni bëri statusin më të fundit me objekt rrugën e shtruar të Shijanit, s’kishte si ta dinte se në fakt po shkruante për rrugën e Shënjanit (Shën Janit, për shkak të një kishe me të njëjtin emër në një kodër përballë), siç fjala vjen Shënvasi, që është në fakt Shën Vasil. Ama zyrtarisht, deputeti Hyseni është në rregull, referuar dhe tabelës anës rrugës.
Por kjo është më tepër dhe çështje artikulimi. Fjala është për një sagë emrash të ndryshuar në të gjithë zonën, gjë e cila daton që në kohën e komunizmit, ku me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të atëhershëm, shumë fshatrave, ato të cilat kishin emër me konotacion fetar, do iu viheshin emra me konotacion ideologjik, siç Qenurjo në Vurgu i ri, apo Shën Vasil në Përparim.
Por jo vetëm kaq. Ndërsa Fanar do quhet Dritas, më parë ishte quajtur Kara Ali bej. Fitorja ishte quajtur Ymer Efendi, ndërsa Karahaxhi i quajtur Blerimas është po ashtu i diskutueshëm për konotacionin fetar, ama musliman – Kara Haxhi (ose Haxhiu i zi në turqisht).
Por veçon Livadhjaja, e quajtur më parë Hoxhë.
Ndërkohë, Vromero shndërrohet në Bregas e Mavropull (Zogu i zi – me konotacion erotik) në Buronjë.
Pas viteve ’90-të, disa prej këtyre fshatrave iu kthyen emrave të vjetër e disa jo.
Ndodhte kjo asokohe ndërsa e njëjta gjë ndodhte dhe me emra njerëzish.
Në ‘76-ën, më 19 mars të atij viti, në gazetën lokale Fitorja, do kishte një shkrim me këtë temë, ku dhe emra si Sovjetike duheshin bërë Edlira, apo Natasha duhej bërë Sonila, kjo pas prishjes me BRSS-në.
Shkrimi do pritej mirë nga sektori i shtypit në Komitetin Qendror, por një reagim i ashpër nga ambasada greke në lidhje me ndryshimin e emrave të fshatrave të minoritetit, bëri që partia të kthente pllakën e të ndëshkonte sa gazetën e sa artikullshkruesit, duke jua faturuar atyre përgjegjësinë.
Një nga të ndëshkuarit qe Enver Isufi, bashkëautor i shkrimit, i cili u transferua në estradë si libretist. Transferime patën dhe Sokrat Bejo e Jordan Pani, njëri Sekretar për Propagandën e tjetri Sekretar i Parë. /sarandacity.al/