Nëntori është periudha e hedhjes së vezëve për shumëzimin e peshkut. Janë disa lloje peshqish, si qefulli apo një tjetër lloj i kësaj familjeje, ai me emrin syxham, që e kanë tani kohën e shumimit.
Kjo do të thotë që në këtë periudhë peshkimi të jetë i limituar apo i kufizuar, duke lejuar që këta peshq të mund të hedhin vezët e tyre dhe të shumohen. Ka rëndësi të kuptohet që periudha e ndalesës është e ndryshme për llojet e ndryshme të peshqve.
Nga biseda me njerëz të fushës, mësova se për këtë arsye, normale duhej të ishte ndalimi i gjuetisë për disa rajone peshkimi. Madje më treguan se ne jemi nënshkrues të një konvente të posaçme europiane, që ndalon gjuetinë e peshkut, në sezon shumëzimi.
Por praktika është larg asaj që kërkohet nga ligje e konventa, megjithëse nuk na mungojnë inspektorët dhe inspektoriati i peshkimit, që ka tagrin për të vepruar në zbatim të ligjit dhe të Konventës. Prandaj ndodh që tek ne të gjesh në treg apo të serviren në restorante peshq me vezë, apo thjesht vezë peshku. Tek fqinjët tanë kjo nuk ndodh. Tek ne ka “gjueti pa kufi”. Madje rezulton që në këtë periudhë peshkohet enkas peshku me vezë, pasi vezët kushtojnë shumë më tepër se vetë peshku, deri më 30 euro kilogrami.
Fitim i madh, apo jo?
Por humbja është e njëqindfishtë, pasi ato vezë që vijnë në pjatën tënde dhe ti i shijom aq shumë, kanë shije aq të hidhur për ekonominë kombëtare, për shtimin e munguar.
Ekspozimi që po i bëjmë kësaj situate, le të shpresojmë që do t’i zgjojë, do t’i përgjegjësojë dhe do t’i bëjë vepruese strukturat e specializuara, që, siç e thash, nuk na mungojnë. Po të kthehemi pas në kohë, nuk ndodhte kështu në ekonominë e centralizuar.
Është e njohur për sarandiotët praktika dhe regjimi i studjuar i hapje-mbylljes së portave në rezervatin e Kanalit të Vivarit, të shquar për prezencën e qefullit atëhere.
Sa shumë i jemi larguar kohës së gjuetisë së kontrolluar… Nuk vritet më në mënyrë shfarosëse, me dimamit. Por edhe gjuetia e praktikuar në kohë të ndaluar, nuk është gjë tjetër, veçse dinamit shfarsës, pa gjëmim e pa shpërthim. Efekti është i njëjtë. Dinamit është bërë tigani…
Nga Thoma Nika – /sarandacity.al/