Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi se në kufirin me Greqinë nuk ka asnjë ndryshim të protokolleve të COVID-19, për lejimin e kalimit të shtetasve shqiptarë, përkundër disa raportimeve në media, që sipas saj janë bërë gjatë ditës së sotme.
Ministria tha se Greqia vijon të njohë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet shqiptare.
I vetmi ndryshim i paraqitur sot nga autoritetet greke ka të bëjë me lëvizjet brenda vendit, tha Ministria e Jashtme.
Në dallim me udhëzimin e mëparshëm aeroportual për fluturimet brenda vendit drejt të gjitha destinacioneve të Greqisë, udhëtarët e mitur nga mosha 4 deri në 17 vjeç mund të udhëtojnë me avion me paraqitjen e testit brenda 24 orëve, në ndryshim nga 4 deri 11 vjeç që parashikohej më parë.
Rregullat për të hyrë brenda territorit grek për personat me shtetësi të huaj:
- Të kenë përmbushur të paktën përpara 14 ditëve vaksinimin për Covid-19 dhe të paraqesin vërtetim/certifikatë vaksinimi. Certifikata digjitale evropiane Covid-19, gjithashtu është e pranueshme. Certifikata e vaksinimit përmban emrin mbiemrin, llojin e vaksinës dhe numrin e dozave.
- Të paraqesin certifikatën e infektimit e cila lëshohet 30 ditë pas testimit të parë pozitiv dhe e cila vlen 180 ditë pas kësaj.
- Udhëtarët e fluturimeve brenda Greqisë, të cilët nuk janë vaksinuar, duhet të kenë rezultat negativ të testit PCR, kryer brenda 72 orëve nga dita e nisjes, ose brenda 48 orëve me rapid test para nisjes së fluturimit.
- Të miturit nga 4 deri në 17 vjeç mund të kryejnë udhëtimet e tyre me avion edhe me rapid test deri në 24 orë nga ora e fluturimit.
Shtetasit e huaj që hyjnë në territorin grek mund të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose vërtetimin e infektimit ose testin negativ, në gjuhën greke, angleze franceze, gjermane, spanjolle, italiane ose ruse.
Kusht i domosdoshëm është që shkresa të jetë lëshuar nga autoritet publik dhe në përputhje me legjislacionin vendas.
Nëse këto kontrolle janë kryer jashtë vendit dhe janë të vlefshëm gjatë momentit të hipjes së udhëtarëve në avion, këto vërtetime pranohen me të njëjta kushte siç lejohet hyrja e tyre në Greqi. /sarandacity.al/