Në një konferencë për mediat, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë punonjësit e shtetit për rastet e abuzimeve dhe shkeljeve të ligjit. Thënë ndryshe, korrupsionit e padrejtësive.
“Fjalët e thëna, ankesat, qarjet dhe sharjet pasi ke paguar ryshfetin janë legjitime nga pikëpamja humane por nuk janë të denja nga pikëpamja qytetare, demokratike”, u shpreh i pari i drejtësisë, i cili solli si shembull rastin e një inspektori të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit(AKU) në Fier, i cili ka ushtruar presion ndaj një qytetari, mirëpo ky i fundi ka lajmëruar njësinë anti-korrupsion.
“Uroj që Prokuroria të vihet në lëvizje, për t’i provuar qytetarit që zëri i tij dëgjohet”, u shpreh Manja, ku shtoi se nën kallëzim do të vendosen edhe drejtuesit e institucioneve, punonjësit e të cilëve shkelin ligjin.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos nënshtrohen ndaj paligjshmërive të punonjësve të sektorit publik dhe të denoncojnë rastet duke pasur besim te drejtësia.
“U bëj thirrje qytetarëve që ankohen për mjekët, hipotekën, legalizimet, pyjet, mjedisin, faturat, policinë dhe çdo lloj inspektori në territor”, tha ministri.
Manja kujtoi dhe njëherë se qytetarët mund të denoncojnë në portalin Shqipëriaqëduam.al dhe se identiteti i secilit do të mbetet anonim.
P.S. U zgjodh si Kadastra(ose Hipoteka) si foto ilustrutative, pasi është një ndër institucionet shtetërore më të përfolura. Pra, zgjedhja e fotos nuk ka të bëjë me drejtuesin ose drejtuesit aktualë. Sigurisht, këta të fundit kanë në dorë ta pastrojnë imazhin me njolla të lënë vitet e lëna pas. /sarandacity.al/