Ishte fundi i korrikut 2019 kur lajmi i një turisteje, që pastroi në një nga plazhet e ishujve të Ksamilit, qarkulloi në rrjetet sociale dhe pothuajse në të gjitha portalet në vend. “U zhgënjeva shumë kur pashë se situata ishte më keq nga hera e fundit që kam qenë këtu, tre vite më parë”, theksonte ajo në postimin e saj.
I cilësuar si një nga vendet më të bukura në botë dhe një nga destinacionet më të kërkuara të turistëve vendas e të huaj, Ksamili dhe ishujt e vet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në parajsën turistike të bregdetit shqiptar.
Por përballë ofertës turistike, pasurive natyrore dhe bukurisë së falur me bollëk, vendoset gjithmonë papërgjegjshmëria e komunitetit dhe mungesa e vëmendjes dhe reagimit institucional.
Keqmenaxhimi i mbetjeve është një fenomen që e ndesh pothuajse në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, ndërsa shkaktari kryesor i ndotjes mbetet vetë faktori njeri, vetë banorët e një komuniteti. Ne ende nuk kemi arritur të kemi shkallën e duhur të përgjegjshmërisë për të mbajtur pastër mjedisin rreth nesh për t’i kursyer së pari vetes shqetësime dhe probleme pa fund.
Por përtej kësaj, në një qytezë si Ksamili që gjatë muajve të verës (qershor – gusht) njeh një dyndje turistësh, duke sjellë dyfishim apo trefishim të numrit të banorëve, situata e menaxhimit të mbetjeve mbetet problematike, duke nisur nga mungesa e kontenierëve apo koshave të vegjël dhe deri tek pastrimi i mbetjeve të grumbulluara.
Ishte kjo panoramë e përgjithshme që nxiti një grup të rinjsh nga Ksamili të bëhen së bashku për të sjellë në jetë projektin “Ksamili i pastër”, me mbështetjen e “Lëviz Albania”.
Soraldo u rikthye në vendlindje pas përfundimit të studimeve, por ajo që gjeti nuk i pëlqeu aspak të riut aktivist, që një ide e ktheu në një lëvizje dhe më pas në një projekt që përfshiu komunitetin dhe institucionet, duke synuar orientimin drejt zgjidhjes së menaxhimit të mbetjeve në Ksamil.
“Ka qenë fundi i shtatorit të vitit 2016, kohë kur sapo isha rikthyer nga studimet në Ksamil, dhe me miqtë e mi ishim duke bërë plazh në ishujt binjakë të Ksamilit. Ajo që na vrau sytë ishte fakti se në ishull mbizotëronin ngado mbetjet. Për ne fajtorë ishin turistët dhe me inatin nëpër dhëmbë nisëm pastrimin e ishujve. Kjo situatë që ripërsëritej shpesh ishte shkëndija e parë e idesë sonë që synonte të gjente një zgjidhje afatgjatë duke mos mbetur me aktivitete të cilat na kthenin në pastrues, dhe jo zgjidhës te problemit. Morëm këshilla juridike dhe ramë dakord në krijimin e një shoqate jofitimprurëse. Më pas u konsoliduam dhe konkretizuam problematikën në një projekt ku ofruam zgjidhjen, nëpërmjet idesë “Ksamil i pastër”, tregon Soraldo.
Një ide që nisi me vetëm katër anëtarë, sot ka të angazhuar 48 pjesëmarrës, shoqëruar me shifra rezultatesh mbresëlënëse, duke sjellë ndryshimin e dukshëm mes Ksamilit të vitit 2016 dhe atij sot, të vitit 2021, falë nismës dhe përkushtimit të këtyre të rinjve.
Prej vitit 2019 kur nisi në terren zbatimi i projektit, aktivistët e Shoqatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit” kanë mundur të kryejnë rregullisht pastrimin e tre ishujve të Ksamilit, të shpallura si zonë e mbrojtur e kategorisë A, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, me një sipërfaqe prej 14 ha, si dhe 6000 m2 sipërfaqe e zonës së Pallavraqit, në liqenin e Butrintit. Me qëllim rritjen e impaktit në mbrojtjen e mjedisit dhe nismës së tyre, u bë koordinimi me Bashkinë Ksamil duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për integrimin në planin e grumbullimit të mbetjeve edhe pastrimin e koshave të vendosur nga të rinjtë e projektit, nxjerrjen e orareve të heqjes së mbetjeve, informimin e bizneseve dhe zbatimin në mënyrë korrekte të tyre nga firma e pastrimit.
Nisma e Soraldos dhe miqve të tij, si Glori apo Valdeti, angazhoi brezat e rinj duke i informuar dhe duke i angazhuar në një qasje solidare me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për ruajtjen e mjedisit duke nisur nga fushatat ndërgjegjësuese deri tek përdorimi i çantave të rrobës, në vend të qeseve plastike. Nga ana tjetër hodhi hapa për vendosjen e urave të bashkëpunimit me strukturat e qeverisjes vendore, edhe pse kjo e fundit sipas Soraldos u tregua bashkëpunuese më së shumti në letra, ndërsa “kur vinte koha e zbatimit në terren hasnim në vështrirësi dhe neglizhencë pasi ata menduan se synimi ynë ishte thjesht publikimi në Facebook, por në të vërtetë ne kemi një qasje krejtësisht të ndryshme duke synuar të arrijmë rezultate konkrete dhe jo thjesht të zbatojmë aktivitete pa asnjë impakt dhe konkretizim real”, thekson Soraldo.
Ndonëse kanë ngritur zërin shpeshherë për ndryshimin e kësaj situate, aktivistët kanë ndeshur në burokracinë institucionale dhe përcjelljen e përgjegjësive. Edhe pse ADZM (Administrata e Zonave të Mbrojtura) ka si përgjegjësi mbrojtjen e zonës së ishujve dhe zonave të mbrojtura, situata në terren dëshmon për dështimin e përmbushjes së kësaj detyre.
“Ksamil i pastër” nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me ADZM Vlorë, duke vendosur një ranger shtesë në shërbim të monitorimit të zonave të mbrojtura, ishujve të Ksamilit dhe zonës së Pallavraqit në liqenin e Butrintit.
“Plazhet e ishujve janë të keqmenaxhuara dhe përplot me mbetje të krijuara nga bizneset e paligjshme që ushtrojnë aty aktivitetin e tyre. Ndërsa shkatërrimi i vijës bregdetare nga depozitimi i rërës gëlqerore në ujërat e kristalta të Ksamilit vazhdon pa ndërprerje duke prishur ekulibrat e mjedisit ujor”, thotë aktivistja Glori Ibro.
Së bashku për një mjedis më të pastër
“Ksamili i pastër” gjeti mbështetjen e gjerë të komunitetit duke sjellë një shembull të mënyrës së trajtimit të mjedisit dhe duke i nxitur këta të rinj në vazhdimësinë e nismës së tyre.
“Qasja jonë është edukimi dhe përpiqemi ta realizojmë duke përfshirë qytetarët në aktivitete dhe këta të fundit kanë qenë pjesë aktive e organizimeve tona” shton Valdet Bici, aktivist i shoqatës “Lëvizja për Zhvillimin e Turizmit”.
60 nxënës dhe 12 mësues janë përfshirë në realizimin e nismës për një Ksamil të pastër. Të rinjtë e angazhuar në këtë lëvizje vendosën 30 kosha të vegjël grumbullimi të mbetjeve në pika të ndryshme në Njësinë Administrative Ksamil, duke synuar ato me fluks më të madh këmbësorësh.
“Është e mrekullueshme të shikosh se si fëmijët i përqafojnë nisma të tilla kaq shpejt dhe në mënyrën e tyre të çlirët. Ata nuk kanë nguruar të jenë pjesë e aktiviteteve të organizuara nga nisma”, tregon mësuesja Zhuljeta Caka.
Trajnimet me qëllim sensibilizimin e fëmijëve dhe të rinjve për ruajtjen e mjedisit kanë dhënë rezultatet e tyre në mënyrë të shpejtë. Tashmë janë këta të fundit që kujdesen për ruajtjen e koshave të vendosur, ndërsa kanë ndryshuar edhe mënyrën e sjelljes së tyre me mjedisin.
Për mësuese Zhuljetën “gjithçka e mirë nis nga edukimi i brezit të ri. Nëse ne jemi në gjendje të brumosim fëmijët tanë me një qasje miqësore ndaj mjedisit, atëherë e ardhmja dhe ndryshimi pozitiv janë premtues”. “Ata e përcjellin këtë frymë edhe në shtëpitë e tyre tek prindërit, motrat dhe vëllezërit dhe ky është një hap i rëndësishëm”, pohon ajo.
Nisma ka tërhequr vëmendjen e të rinjve të grupmoshave të ndryshme që shpesh kërkojnë të bëhen pjesë e vullnetarëve të përfshirë në aktivitetet e organizuara në kuadër të kësaj nisme.
Kjo ka nxitur ideatorët e nismës të krijojnë një aplikacion që u jep mundësinë të rinjve të bëhen vullnetarë online dhe më pas të njoftohen për aktivitetin e rradhës.
Turizëm dhe ndotje, sfida e fortë e bizneseve turistike
Blerina vendosi që pas shumë vitesh jetesë në Itali, të rikthehet dhe të investojë energjitë e veta në një biznes turistik në Ksamil. Ndryshimi i kulturave dhe sjelljes ndaj mjedisit ishte gjëja e parë që i ra në sy, ndërsa më pas kuptoi se e gjithë kjo gjendje po kthehej në një situatë shqetësuese edhe për mbarëvajtjen e biznesit.
“Këtu njerëzit ndotin si për inat. Më shqetëson kjo situatë, kontenierët janë pranë bizneseve dhe mbushjet e tyre jashtë e brenda janë një imazh jo i këndshëm, ndërsa era e fortë që lëshojnë mbetjet është shqetësuese” pohon Blerina. Ajo tregon me keqardhje raste jo të pakta turistësh që reagojnë ndaj kësaj situate në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në përshtypjet e tyre në booking.
“Gjatë komunikimeve miqësore me turistët, flasim hapur për të mirat dhe sfidat e turizmit, por gjëja e parë që u bie në sy për keq janë mbetjet dhe sjellja e vendasve që ndotin kudo. Kam marrë komente në booking për çështjen e aromave të mbeturinave dhe zjarreve që ndizeshin nga komshinjtë për të djegur mbeturinat”, shton ajo.
Ndërsa bën një përshkrim të situatës, Blerina dhe shumë biznese të tjera si ajo, tregojnë se u duhet të përballen jo vetëm me papërgjegjshmërinë e banorëve, por edhe neglizhencën institucionale. Individë që hedhin mbetjet ngado, institucione që nuk zbatojnë oraret e zbrazjes së kontenierëve që shpesh rrinë me ditë të tëra të mbushura.
“Çdoherë kazanet i gjen të tejmbushur; dyshekë, pajisje elektroshtëpiake, baza, bimë. Pastrimi i tyre bëhet, por jo me një orar dhe me një koordinim ndërmjet bizneseve dhe firmës së pastrimit” tregojnë pothuajse njëzëri bizneset në Ksamil.
“Ksamili i pastër”, një shembull për t’u marrë
Nisma “Ksamili i pastër” ndezi një dritë jeshile për të gjithë ata që ruajtjen e mjedisit e shohin si një domosdoshmëri për një jetë sociale dhe ekonomike brenda normales dhe njerëzores. Të rinjtë e kësaj nisme gjetën jo pak mbështetje dhe përkrahje edhe pse nevoja për edukimin e masës dhe reagimit të thellë institucional është ende e lartë.
Për Blerinën dhe të gjithë operatorët turistikë të zonës, puna e këtyre të rinjve është një shembull për komunitetin.
“Nisma “Ksamil i pastër” ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Vjet me sa mbaj mend, tregon Blerina, vendosën oraret, na njoftuan edhe ne kur duhet të nxirrnim mbetjet, vëzhgonin respektimin e orareve nga firma e pastrimit dhe i bënin publike. Ajo që duhet është seriozitet nga institucionet si dhe të zbatohet gjoba për ndotësit, jo të mbyllen sytë kur ndotet dhe nuk bëhet puna siç duhet nga firma e pastrimit”.
“Dikur Ksamili veçohej mbi të gjitha edhe për rregullin dhe pastërtinë e tij. Ishte sigurisht shumë më i vogël si shtrirje, por shumë më i dashur me mjedisin sesa sot.
Nisma si “Ksamil i pastër” risjellin në vëmendje rëndësinë e kujdesit për ambientin që na rrethon dhe sigurisht që ka patur reflektim, edhe pse ende në nivele jo të kënaqshme, por është një hap i parë që duhet ndjekur”, pohon mësuese Zhuljeta.
Puna për ndryshimin e situatës në një prej zonave më atraktive turistike të Shqipërisë, tashmë ka nisur.
Për Soraldon dhe të rinjtë nismëtarë të kësaj lëvizjeje qëllimi ka qenë dhe vazhdon të jetë i qartë prej fillimit: “Ta bëjnë Ksamilin vendin me menaxhimin më cilësor të mbetjeve dhe banorët vendas me qasjen më miqësore ndaj mjedisit”. /sarandacity.al/