Në faqen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ofrohet një skicë e asaj se do jetë një prej shkallareve kryesore të qytetit, e cila lidh Rrugën 1 me Rrugën 3.
Ajo i përket Programit për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turizmin, ku veç Sarandës përfshihen dhe tre bashki të tjera, Gjirokastra, Përmeti dhe Berati.
Si objektivi i projektit përcaktohet si vijon: “Përmirësimi i infrastrukturës urbane, nxitja e turizmit dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në zonat e përzgjedhura në jug të Shqipërisë. Projekti do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në rajonin jugor të vendit, nëpërmjet financimit të projekteve të infrastrukturës”.
Dhe kjo që shihet në foto, lidhet dhe me një shqetësim të ngritur së fundi në një prej Dëgjesave për Buxhetin 2022. Eshtë çështja e tregut ushqimor, fiksuar në një vend, duke mos qenë i aksesueshëm nga çdo cep i qytetit.
Për këtë, kryebashkiaku Gurma tha se mirëpret çdo propozim qytetar për vende ku mund të jenë minitregje nëpër lagje. Ai tha se aty ku është tregu sot, është diçka e paleverdisshme dhe për Bashkinë, pasi duke qenë pronë private ajo hapësirë, Bashkia paguan më shumë se sa mbledh nga tregtarët, vetëm e vetëm që këta të fundit të kenë mundësi të shesin.
Pra, edhe për Bashkinë, është koha që qyteti të ketë disa minitregje në vende të ndryshme, siç ky në foto, në vend të një tregu të madh, ku jo të gjithë kanë mundësi fizike për të blerë. /sarandacity.al/