Mësuesi i talentuar i letërsisë që kishte dhënë mësim në një nga shkollat me të mira të vendit, atë të Bujqësores së Delvinës, Panajot Marto, bie në burg në 1994, nën akuzën për veprimtari angjenture. Ishte koha e qeverisjes së Berishës, qe dhe pse president e jo kryeministër, ai njihej si drejtues i plotfuqishëm i vendit. Panajot Marto ishte një nga të 5-ët e OMONIA-s. Për ironi, në Foltoren e së premtes në Sarandë, Berisha do shfaqej si mik i Minorietit, duke pohuar se elementi grek më shumë ishte persekutuar se sa privilegjuar nga Enveri.
Panajoti ka pas lënë një ditar, të titulluar si “Ditar i ferrit”. Në të ai shkruan se “torturat ishin kaq të tmerrshme, sa një Zot e di se si dolëm të gjallë”. Bile ai sjell fjalët e një polici që duke pirë kafe matanë burgut të Tiranës, i tregonte bëmat një shoku të tij me mburje. “Ai greku, edhe qen të ishte do të kishte ngordhur. Dhe tre herë ka bërë grevë urie. Nuk e mendoja si mund të çohej në këmbë përsëri ai njeri me ato rrahje me grushta e shkelma që hëngri për orë të tëra”.
Rastësi ishte që gjyqin ua bënë me 15 gusht 1994, ditën e Shën-Mërisë?
Pesë vite pas burgut, shëndeti i tij u keqësua. Me 31 dhjetor, disa orë para se të mbyllte portën viti 1999, ai u la shëndet të afërmve dhe miqve, pa e parë vitin 2000 .Por rastësia tjetër ish se Panajoti vuajti dënimin në burgun e Tiranës, në qelinë ku kish qëndruar babai i tij i cili kishte kryer 16 vjet. Rastësi?
“I dërrmuar nga të rrahurat më hodhën në një qeli. Ndenja nuk e di sa i shtrirë me sy të mbyllur. Kur i hapa, me zorr u mësova në atë gjysmë errësirë.
Në anën perëndimore të qelisë ku binte pak dritë, pashë ca gërma. Zgurdullova sytë: ΜΙΧΟΣ ΜΑΡΤΟΣ greqisht. (Miho Marto). M’u ngjethën mishtë. O Zot, këtu kish vuajtur babai im. Tani ia zura unë vendin”.
Duke ndjekur ditarin e tij , ku në burg e kish shkruar këtë kujtim në një letër cigareje, ai përjetoi ca momente që është një koiçidencë interesante. Ishte 30 prill, kur ai i torturuar e kthenin në qeli, në fshat, Kakodhiq, babai i tij jepte frymën e fundit. Po ai, si hija e babait të Hamletit, iu fanit në qeli të birit, Panajotit. Ja ç’kishte shkruar në letrën e cigares:
“Në bodrum, poshtë, më futen në qelinë e errët, që vetëm po të çoje kokën, mund ta godisje në tavanin prej çimentoje. Një stol kishte dhe asgjë tjetër. Porta u mbyll dhe qelia u zhyt në errësirë. Ku nuk më shkonte mendja. ……. Brenda në errësirën si një fllad i lehtë dëgjova zërin e babait tim. Më fliste që të më jepte kurajo: ‘Mbahu biri im. Duro shpirti im. Jam pranë teje, mos ki frikë. Këtu isha edhe unë. Mos u thyej..Mos u tremb. Unë sot ika’.
Fërkova sytë fort se mos shikoja ëndërr. Dhe përpiqesha të dalloj diçka..Për fat të keq, errësira ishte shumë e thellë. Zëri i babait tim vazhdonte të ushtonte në veshët e mi. Vërtet, atë të shtunë, 30 prill, babai im udhetonte në Mbretërinë e Qiejve. Mua nuk më thanë gjë. Atë e mësova vetëm ditën e gjyqit, disa muaj më vonë”.
Nga Panajot Boli – /sarandacity.al/