Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e punimeve në kantierin e Tunelit të Llogarasë.
Tuneli i Llogarasë do të ndërtohet përmes një partneriteti publik-privat 35-vjeçar me një konsorcium turk, që është shpallur fitues me vlerë investimi prej 17 miliard lekësh.
Referuar dokumenteve të tenderit, afati i zbatimit të kontratës do të jetë 37 muaj, çka do të thotë se nëse marrim parasysh edhe procedurat e lidhjes së kontratës apo pajisjen me lejet e nevojshme, kjo vepër nuk do të jetë gati në këto 4 vite, raporton Scan.
Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej 6 km, ndërsa do të shkurtojë kohën e aksesimit të jugut të vendit me rreth 45 minuta.
Ai është pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë pjesë e Autostradës Vlorë – Sarandë, ndërkohë që sipas projektit, ai nis nga Ura e Shën Elizës dhe do e ketë daljen në Urën e Palasës, duke evituar tërësisht Qafën e Llogarasë.
Kështu, me këtë Tunel, Vlorë – Sarandë e anasjelltas shkurtohet me afro një orë, që shkon aty-aty si kohë në të njëjtën distancë edhe me variantin Kardhiq – Delvinë. /sarandacity.al/