Mbrëmjen e kaluar, në ambientet e Universitetit të Harvardit u mbaj prezantimi: “Incidenti i Kanalit të Korfuzit dhe Lufta e Ftohtë”.
Ky prezantim u bë nga Auron Tare, anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s për pasuritë botërore nënujore.
Zbulimet e fundit të kryera nga ekspedita shqiptaro- amerikane e kërkimeve nënujore dhe gjetja e bashit të anijes britanike “Volage” në ujrat territoriale shqiptare, ka rihapur edhe një herë temën mbi atë ngjarje historike të 1946, të njohur si “Incidenti i Kanalit të Korfuzit”.
Prezantimi i zbulimeve të reja nënujore në ujrat e Sarandës, si dhe i dokumentacionit të deklasifikuar të Arkivave Britanike, ka risjellë në vëmendjen e të pranishmëve fakte të reja nga ky konfrontim midis Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë. Duhet thënë se beteja ligjore që pasoi këtë incident ushtarak midis dy vendeve, ka hyrë në histori për një seri precedentësh, një pjesë e të cilave studiohen edhe në Fakultetin e të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit.
Por ajo që është më e rëndësishme për historianët e fushës, qëndron në faktin se ky incident konsiderohet si përballja e parë midis ish-aleatëve të Luftës së Dytë dhe fillimi i epokës historike që dominoi gjysmën e shek. të 20-të, e njohur si “Lufta e Ftohtë”.
Përpara pjesëmarrësve, Auron Tare prezantoi zbulimet e kryera nga anija amerikane “Herkules” në Sarandë, si dhe të rejat nga arkivi i deklasifikuar britanik dhe ai shqiptar, duke prezantuar edhe konkluzionet e ekipit shqiptaro-amerikan se Shqipëria nuk ishte fajtore për minimin e rrugëkalimit ndërkombëtar të Korfuzit dhe se flota britanike nuk kishte kryer një kalim paqësor sipas pretendimit zyrtar por një operacion ushtarak të mirorganizuar. Sipas z. Tare, “Shqipëria humbi betejën ligjore në Hagë, por duhet të fitojë betejen historike përpara brezave, duke vërtetuar se pavarësisht kontekstit politik të kohës, Shqipëria nuk ishte fajtore në këtë çështje me rëndësi ndërkombëtare”.
Konkluzionet e arritura nga ekspediata shkencore shqiptaro-amerikane jane prezantuar edhe më parë në organizata të rëndësishme botërore, si National Geographic, Explorers Club, Instituti Amerikan i Arkeologjisë etj. Pjesë e këtij Misioni Shkencor janë gjithashtu Profesor James Delgado, ish-Drejtor i Përgjithshëm i NOAA, dhe James Goold, jurist i njohur i të drejtës Ndërkombëtare Detare.
Incidenti i Kanalit të Korfuzit ndodhi në 22 tetor 1946, përballë Gjirit të Sarandës, ku 4 anije britanike ranë në mina detare duke humbur 44 marinarë. Ishte kjo humbja më e madhe e Marinës Mbretërore pas Luftës së Dytë Boterore.
Britania e Madhe e çoi çështjen në Këshillin e Sigurimit duke pretenduar se anijet po kryenin një kalim paqësor.
Nga Këshilli i Sigurimit kjo çështje u dërgua në Gjykatën e Hagës, ku pas dy vjetësh kjo gjykatë vendosi ta dënoje Shqipërinë si fajtore për minimin e kanalit lundrues ndërkombëtar.
Shqipëria nuk e pranoi këtë verdik dhe Britania i konfiskoi arin e rezervës shtetërore. Për mbi 40 vjet, të dyja vendet nuk kishin marrëdhënie diplomatike, pasi engoheshin nga zgjidhja e Verdiktit të Gjykatës së Hagës.
Mbas vitit 90-të dhe pranimin e fajit nga qeveria shqiptare postkomuniste, të dyja vendet rivendosen marrëdhëniet duke zgjidhur përfundimisht edhe çështjen e arit të konfiskuar.
Por me zbulimet e reja në Gjirin e Sarandës, ky verdik i gjykatës vihet në dyshim, pasi vërtetohet se Shqipëria u provokua nga anijet britanike. /sraandacity.al/